Zyra e Prokurorit të Specializuar ka arrestuar të mërkurën ish-eprorin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit, Salih Mustafa.
Në njoftimi thuhet se Mustafa po transferohet në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë dhe do të dalë para gjykatësit të procedurës paraprake pa vonesë të papërligjur.
“Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, policia në kuadrin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka autoritetin dhe përgjegjësinë që të ushtrojë kompetencat që i janë dhënë policë së Kosovës sipas ligjeve të Kosovës. Në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar gjithashtu përcaktohet se personi kundër të cilit është konfirmuar aktakuzë, merret në ndalim në zbatim të urdhërarrestimit ose fletarrestimit të lëshuar nga Dhomat e Specializuara”, thuhet në njoftim.
Salih Mustafa është i arrestuari parë i Gjykatës Speciale. /Insajderi.com