Reshat Mexhiti i cili aktualisht është anëtar i kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës do të jetë kundër kandidati i vetëm i Naim Tërnavës për të parin e BIK-ut.
Ndonëse kandidati i vetëm për këtë post deri më tani kishte qenë Naim Tërnava, atij në garë për të parin e myslimanëve të Kosovës i është bashkuar Reshat Mexhiti i cili është imami në xhaminë Bajrakli në Prizren.
Ahmet Sadriu zyrtar për informim në Bashkësinë Islame ka thënë për Insajderin se sipas informacioneve të tij ai do të jetë kandidat për të parin e BIK-ut.
“Me këtë cështje merret komisioni, por sa unë kam informacione ai është kundërkandidat për të parin e BIK-ut. Nesër është Kuvendi ku do të zgjidhet myftiu”,
Për të dy këta kandidatë, do të votojë trupi zgjedhor, i cili përbëhet nga 28 delegatë të Kuvendit, 28 kryetarët e Këshillave të Bashkësisë Islame të Kosovës në 28 komuna, si dhe një përfaqësues nga Medreseja dhe një nga Fakulteti i Shkencave Islame.
Naim Tërnava është myfti i Kosovës që 13 vjet dhe ka përfunduar mandatin e tretë në krye të institucionit më të lartë të besimit islam në Kosovë./Insajderi.com