Konfirmohet, takimi në Bruksel zhvillohet sot pasdite

Konfirmohet, takimi në Bruksel zhvillohet sot pasdite

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se të enjten duke filluar nga ora 14:00 do të mbajë takimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një komunikate për media.

“Pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, i mbështetur nga Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak do të presë sot një sërë takimesh për menaxhimin e krizave me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Bruksel. Diskutimet do të fokusohen në gjetjen e rrugëdaljes për uljen e tensioneve të tashme, në mënyrë që [palët] të kthehen në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut, në veçanti të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit”, thuhet në njoftimin e BE-së.

Pas takimit do të ketë një deklaratë për media nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell.