Konfiskimi i pasurisë – Ligji sipas praktikave ndërkombëtare

Konfiskimi i pasurisë – Ligji sipas praktikave ndërkombëtare

Këshilltari në Ministrinë e Drejtësisë, Genc Nimoni, thotë se grupi punues i Projektligjit për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do ta përfundojë atë brenda afateve optimale, transmeton Insajderi.

Nimoni thotë se ky projektligj do të prek të gjithë zyrtarët publikë, ish-zyrtarët dhe bashkëpunëtorët e tjerë që kanë mundur të përfitojnë në forma të ndryshme nga paraja publike.

“Tashmë kemi të themeluar grupin punues, i cili është duke punuar dhe duke hartuar këtë projektligj dhe ne po besojmë që në afate optimale do të jetë i gatshëm ky ligj. Çdo ditë, javë, muaj po punohet në këtë ligj dhe po besoj që do të jetë ndër më të mirat që do t’i ndihmojë tutje Kosovës në ndjekjen ose goditjen e këtij lloji të keqpërdorimit të parasë publike dhe natyrisht që në fund do të ketë pasoja pozitive edhe në efikasitetin e vetë institucioneve që ndjekin këtë lloj keqpërdorimi”, është shprehur ai.

“Subjekt do të jenë zyrtarët publik ne në këtë fazë jemi ende duke trajtuar modalitetet brenda në ligj. Është koha kur përfshihen edhe ish-zyrtarët dhe po besojmë që kjo do t’i ndihmojë tutje verifikimit të çdo lloji të keqpërdorimit të parasë publike dhe natyrisht konfiskimit të këtij lloj keqpërdorimi. Subjekt do të jenë edhe palët e treta, bashkëpunëtorët që anë qenë të ekspozuar politik, çdo kush që ka pasur mundësi të përfitojë në forma të ndryshme nga paraja publike”, ka shtuar ai për EO.

Nimoni më tej tha se ndërkombëtarët kanë ofruar edhe ekspertizë për të bërë një ligj sa më profesional dhe sa më të zbatueshëm.

“Qysh në fazat e para kur kemi themeluar grupin punues dhe para themelimit të tij kemi kontaktuar edhe me përfaqësues ndërkombëtar. Kemi pasur vizita të natyrave të ndryshme nga nivelet më të larta politike deri në nivel të ekspertëve dhe atyre teknik. Ne i kemi informuar se si do të jetë ky projektligj, çka mendojmë të bëjmë dhe çka është në kuadër të projekteve tona dhe ne kemi marrë një lloj mbështetje në kuptimin e asaj që le të bëhet në hapa të sigurt dhe profesional duke konsultuar instrumentet edhe ndërkombëtare. Ne jemi duke e bërë atë dhe ata na kanë ofruar edhe ekspertizë për të bërë një ligj sa më profesional dhe sa më të zbatueshëm. Ne jemi duke shkuar në atë linjë dhe tashmë në grupin punues ka edhe përfaqësues ndërkombëtar, ekspertë të cilët do të japin kontributin e tyre në veçanti ata ekspertë shumë vjeçare të cilët kanë përvoja në vende të ndryshme pikërisht për këtë konfiskimin me bazë civile”.

Nga ana tjetër, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se dyshon që gjyqtarët dhe prokurorët që ka vendi do të kenë vullnetin dhe guximin për të zbatuar këtë ligj.

“Ministria e Drejtësisë është duke punuar në dokumentin që ka të bëjë me konfiskimin civil të pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme. Për Institutin e Kosovës për Drejtësi që në fillim ka qenë e qartë që Kosova ka një bazë ligjore jashtëzakonisht të avancuar si në aspektin e konfiskimit tradicional ashtu edhe modern. Fatkeqësisht sistemi gjyqësore dhe sistemi prokurorial mund të themi që në vitet e fundit nuk kanë pasur vullnet dhe guxim për të zbatuar këtë legjislacion andaj nëse gjyqtarët, prokurorët, institucionet nuk i zbatojnë obligimet të cilat janë ligjore atëherë dyshojë që të njejtit mund ta bëjnë këtë me një ligj të ri”.

Sipas Miftarajt, përderisa që 10 vjet në Kosovë janë konfiskuar vetëm 2 milionë euro është e dyshimtë që ky ligj do të sjellë rezultate konkrete. /Insajderi.com