Konfiskohen 21 vetura të padoganuara

Konfiskohen 21 vetura të padoganuara

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës kanë filluar planin operativ për veturat e padoganuara që janë në qarkullim.

Vetëm gjatë ditës së djeshme Policia e Kosovës ka konfiskuar 21 vetura të padoganuara të cilat janë hasur duke qarkulluar në trafikun rrugor.

“Plani ka qëllim identifikimin, ndalimin dhe largimin nga komunikacioni të veturave të cilat qarkullojnë të padoganuara. Mjetet në fjalë nuk u nënshtrohen rregullave teknike dhe atyre procedurale, janë të pasiguruara dhe u shmangen të gjitha taksave të parapara ligjore. Gjithashtu, këto mjete jo rrallë herë janë pjesëmarrëse në aksidente të trafikut rrugor me çka rrezikohet siguria e pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në komunikatën e dërguar nga Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës ka kërkuar nga ngasësit e veturave të padoganuara që të mos dalin me vetura të tilla në trafik, pasi veturat e tilla do të ndalohen dhe sekuestrohen. Ky operacion i Policisë së Kosovës së bashku me Doganat e Kosovës është duke vazhduar ende./Insajderi.com