Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka konfiskuar të mërkurën 700 kg produkte të mishit të prishur në 10 mishtore në Komunën e Ferizajt.
Konfiskimi i kësaj sasie të mishit është bërë në një aksion të AUV-it bashkë me inspektorët komunal.
Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi ka konfirmuar për Insajderi-n se mishi i konfiskuar nuk i plotësonte kushtet ligjore për tregtim.
“Produktet e mishit të konfiskuar ishin: mish i freskët, mish i grirë, suxhuk, virshlle, mish i terur. E gjithë sasia u tërhoq nga shitja, u bllokua me urdhër të inspektorit. E gjithë̈ sasia e mishit të ndaluar do të asgjësohet në prani të inspektorëve kompetent. Shumica e mishtoreve posedonin kushte të mira higjienike, për hapësirat që kishte defekte u urdhëruan përmirësimet brenda afateve kohore”, ka thënë Thaçi.
Ai po ashtu ka deklaruar se AUV-i përmes inspektoratit veterinar është duke ndërmarr aksione në të gjithë Kosovën të largoj nga tregu të gjitha produktet ushqimore me origjinë shtazore të cilat nuk i plotësojnë kriteret ligjore për sigurinë ushqimore.
“Te gjithë operatorët të cilët tregtojnë produkte mishi duhet të jenë të regjistruara në AUV. Thertoret dhe përpunuesit e mishi duhet të jenë të licencuara për veprimtarinë̈ përkatëse. Hapësirat duhet t’i plotësojnë kushtet teknike sanitare higjienike, të cilat garantojnë̈ siguri në prodhim përpunim apo tregtim të produktit”, ka pohuar tutje Thaçi./Insajderi.com