Konfiskohen mbi 8 kg marihuanë, arrestohet një i dyshuar

Konfiskohen mbi 8 kg marihuanë, arrestohet një i dyshuar

Policia ka arritur të konfiskojë mbi 8 kilogramë narkotikë e dyshuar e llojit marihuanë. Deri te ky rast erdhi kur policia e Klinës dhe ajo e Skenderajt kanë arritur ta identifikojnë dhe ndalojnë veturën e dyshimtë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik të Pejës dhe Mitrovicës. Është bërë shikimi, fotografimi dhe sekuestrimi i dëshmive në vendin e ngjarjes. I dyshuari është arrestuar.

“Nga matja e substancës së dyshuar narkotike ka rezultuar të jetë me peshë 7 kg e 914g. Lidhur me rastin është informuar Prokurori Kujdestar i Prokurorisë Themelore Mitrovicë dhe me vendim të lëshuar nga i njëjti, të dyshuarit R.D. lindur më 1987, m/k/sh, i caktohet masa e ndalimit policor prej 48 orëve”, thuhet në njoftimin e policisë.

Dëshmitë e sekuestruara janë një veture Golf IV me targa vendore; substancë e dyshuar narkotike me peshë 7912 gram dhe një telefon.

Pas kësaj, policia ka kontrolluar edhe në shtëpinë e tij, ku ka gjetur edhe një qese me substancë narkotike e dyshuar të jetë e llojit marihuanë.

“Në vazhdimësi të hetimit të rastit, sot më 28:04-2017, Njësiti i DHTN-së Mitrovicë, me urdhëresë nga gjyqtari i procedurës paraprake dhe në koordinim me prokurorin e rastit  është kontrolluar shtëpia dhe lokalet e të dyshuarit R.D,  në Mitrovicë, ku është gjetur edhe një qese najloni  me substancë të dyshuar narkotike-marihuanë me peshë prej 404.5 gram”, thuhet më tej aty.

Sasia e përgjithshme e substancës narkotike të gjetur dhe konfiskuar është 8 kg e 318.5 gram./Insajderi.com