Kongresisti Engel: ShBA nuk duhet të ndërhyjnë në politikat e brendshme të Kosovës

Kongresisti Engel: ShBA nuk duhet të ndërhyjnë në politikat e brendshme të Kosovës

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një bisedë telefonike me kryetarin e Komitetit për Politikë të Jashtme, Kongresistin Eliot Engel, i cili theksoi se nuk pajtohet në asnjë mënyrë me ndërhyrjen se kush duhet ta udhëheqë Kosovën dhe procesin e dialogut me Serbinë.

Sipas Qeverisë, Kurti dhe Engel fillimisht diskutuan rreth sfidave të ballafaqimit me pandeminë COVID-19. Kryetari Engel informoi Kurti për gjendjen që po zotëron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe brengosjen e qytetarëve amerikan lidhur me virusin e ri Corona. Kryeministri Kurti gjithashtu njoftoi Kongresistin Engel për angazhimin e qeverisë për të parandaluar dhe luftuar këtë pandemi dhe masat e marra deri tani.

“Në vazhdim të bisedës, kongresisti Engel paraqiti në hollësi pozitën e tij në raport me qasjen e administratës amerikane, posaçërisht të Ambasadorit Grenell, kundrejt qeverisë së zgjedhur në bazë të Kushtetutës dhe sistemit demokratik zgjedhor. Ai theksoi se nuk pajtohet në asnjë mënyrë me ndërhyrjen se kush duhet ta udhëheqë Kosovën dhe procesin e dialogut me Serbinë. Vetëm qytetarët e Kosovës mund të vendosin një gjë të tillë. Kryetari Engel shprehu përkrahjen e plotë për Qeverinë Kurti në menaxhimin e COVID-19, si dhe në respektimin e vullnetit të lirë të qytetarëve të Kosovës për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre. Ai pohoi se qëllimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga viti 1999 ka qenë të përkrahë shtetin demokratik e të pavarur të Kosovës. Kongresisti gjithashtu paraqiti mendimet e tij, që i shprehu në letrën e fundit të tij që i shkroi Sekretarit të Shtetit Pompeo, në të cilën bëri thirrje Shteteve të Bashkuara që të ndalojnë taktikat e rënda ndaj Kosovës duke anashkaluar përpjekjet e çnjohjeve të Kosovës nga Serbia dhe zgjerimin e marrëdhënieve të tyre me Serbinë. Ai theksoi që Shtetet e Bashkuara nuk duhet të ndërhyjnë në politikat e brendshme të Kosovës, përfshirë atë që kush duhet të udhëheqë shtetin dhe dialogun me Serbinë. Kongresisti Engel gjithashtu u pajtua me vendimin e Kosovës që të largojë tarifat dhe kërkoi që programet e Korporatës së Sfidave të Mileniumit duhet të rifillojnë pa ndonjë pengesë. Kryeministri paraqiti falënderimin e qytetarëve të Kosovës dhe diasporës Shqiptaro-Amerikane për punën dhe rolin e Kongresistit Engel dhe për përkushtimin e tij të vazhdueshëm ndaj Kosovës. Ai ka kaluar 3 dekada në regjion dhe përkushtimi i tij aktiv është i shoqëruar nga njohuria e kaluar dhe vizionin e pastër për të ardhmen Euro-Atlantike të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri në detyrë Kurti paraqiti nevojën dhe domosdoshmërinë për koordinimin e relacioneve transatlantike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në mbrojtje të interesave në Ballkan, si mënyra e vetme e garantimit të paqes, demokracisë dhe progresit.

Biseda përfundoi me përkushtimin e plotë nga të dy anët për bashkëpunim dhe përkushtimin e Kongresistit Engel për mbështetje në kanale diplomatike dhe qëndrime publike në mbrojtje të demokracisë, kushtetutshmërisë dhe shtetësisë së Kosovës. Ai paraqiti gatishmërinë e tij për komunikimin konstant sa i përket zhvillimeve politike në Kosovë.