Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur lule pranë varrit të heroit të Kosovës, Agron Rrahmani, në 23 vjetorin e rënies heroike të tij, transmeton Insajderi.
Kryekuvendari tha se heroi Agron Rrahmani është një ndër figurat më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili u frymëzua nga jeta dhe vepra e heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu.
“Agroni qysh nga rënia e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, në vitin 1989, bëri betimin, sepse mësoi prej heronjve dhe dëshmorëve tanë të mëhershëm se si jepet jeta për atdhe kur e kërkon nevoja”, tha Konjufca.
“Brenda një periudhe kohore prej 5 ditësh, UÇK-ja humbi figurat dhe komandantët e saj më të shquar – më 7 maj Bahri Fazliun, 9 maj Ilir Konushevcin dhe më 12 maj Agron Rrahmanin. Kontributi i Agron Rrahmanit është i jashtëzakonshëm dhe do të nderohet e kujtohet gjithmonë”, tha ndër të tjera kryekuvendari Konjufca.
Gjatë homazheve ishin të pranishëm edhe prindërit e heroit Agron Rrahmani. /Insajderi.com