Konjufca: Deri tani në dialog nuk i është kushtuar vëmendje çështjes së të pagjeturve

Konjufca: Deri tani në dialog nuk i është kushtuar vëmendje çështjes së të pagjeturve

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar sot se në dialogun e deritashëm me Serbinë nuk i është kushtuar vëmendje e duhur çështjes së të pagjeturve, njofton Insajderi.

Këto komente Konjufca i bëri pas takimit që ka pasur me drejtorin Rajonal për Evropë dhe Azi Qendrore, Martin Schuepp, me të cilin ka diskutuar lidhur me angazhimet e kësaj organizare për sigurimin e të dhënave për personat e pagjetur dhe zbardhjen e fatit të tyre.

“Kryekuvendari Konjufca, pasi vuri në pah se në dialogun e deritashëm me Serbinë nuk i është kushtuar vëmendje e duhur çështjes së të pagjeturve, ritheksoi zotimin e institucioneve të Kosovës për adresimin e kësaj plage të hapur të luftës si një ndër prioritetet parësore.Ai tha se tendenca e shtetit serb, që kreu gjenocid në Kosovë, ishte që trupat të mos gjenden kurrë, duke shtuar se shumë prej varrezave masive gjithandej nëpër Serbi me trupat e shqiptarëve ende nuk janë zbuluar, sepse autoritetet shtetërore të Serbisë vazhdojnë t’i mbajnë ato të fshehura. Prandaj edhe kërkoi që sa më parë të hapen arkivat shtetërore të Serbisë”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Po ashtu thuhet se drejtori i ICRC-së dhe i pari i Kuvendit u pajtuan për shtimin e bashkëpunimit në të ardhmen, si dhe koordinimin e aktiviteteve për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë. /Insajderi.com