
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka folur rreth prezencës së flamurit të Kosovës në seancën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), ku i diskutua për Kosovën.
Konjufca i ftuar në emisionin Debat Plus ka thënë është ndjerë krenar që sot ka mbajtur mbledhjen së bashku me flamurin e Kosovës, përcjell Gazeta Insajderi.
“Unë u ndjeva mirë që flamuri i Kosovës u bë prezent në një mbledhje si kjo e OKB-së dhe për sa kohë është ky duhet të mbrohet dhe duhet të ndjehemi mirë kur shihet nëpër organizata të ndryshme ndërkombëtare”, ka thënë Konjufca.
Tutje ministri në detyrë ka thënë se nuk e ka për herë të parë që e mbron flamurin e Kosovës. Konjufca e ka përmendur edhe një rast kur ka përfaqësuar Kosovën në një mbledhje ndërkombëtare dhe Serbia e ka lëshuar atë mbledhje për shkak të prezencës së flamurit.
“Ai është flamuri i Republikës së Kosovës, s’është hera e parë që e bëj këtë më ka ndodhur edhe herë tjera më duket në Vjenë ku në atë mbledhje Serbia e pat lëshuar mbledhjen për shkak të flamurit. Simbolet e Kosovës duhet të respektohen”, ka treguar Konjufca.
Në seancën virtuale të OKB-së, në paraqitjen e tij, Konjufca kishte vendosur në prapavijë flamurin e Kosovës, e për këtë ka reaguar përfaqësuesi i Rusisë.
Vasily Nebenzya në fjalimin e tij, tha se nuk e njeh flamurin, por që duke shikuar ngjyrat mund të jetë flamuri i Bosnjës, transmeton Telegrafi.
“Po shohë prapavijën të Konjufca, në bazë të ngjyrave mund të jetë flamuri suedez apo i Bosnjës. Por pasi po flasim për Ballkanin Perëndimor me siguri është i Bosnjës dhe Hercegovinës. Do të doja të ju kërkoj që t’i njoftoni pjesëmarrësit se cila duhet të jetë prapavija apo simbolet e duhura dhe cilat janë simbolet e padëshiruara në këtë mbledhje”, ka thënë përfaqësuesi i Rusisë. /Insajderi.com