Konjufca: Gjaku i të rënëve të Krushës së Madhe dhe Krushës së Vogël qëndron në themelet e shtetit tonë

Konjufca: Gjaku i të rënëve të Krushës së Madhe dhe Krushës së Vogël qëndron në themelet e shtetit tonë

U.d Presidenti i Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë ditës së sotme ka bërë homazhe në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël.

Konjufca ka thënë se sa herë vijmë këtu e kuptojmë edhe më mirë që Kosova i ka tri plagë, e që sipas tij, çka është më e keqja, janë plagë të hapura të Republikës së Kosovës dhe të popullit të saj.

“Plaga e parë është vet masakra që ka ndodhë. Populli këtu, krushianët e kanë përjetuar tmerrin në një masakër e cila ka lënë qindra e qindra të vdekur. Plaga e dytë është që këtu ka edhe varreza të zbrazëta. Disa prej varrezave janë të zbrazëta, që na e kujton edhe njëherë se Serbia i ka rrëmbyer më të dashurit tanë dhe familjarët tanë dhe nuk i ka kthyer kurrë. Fati i tyre ende nuk është zbardhur, dhe kjo është një plagë e hapur në trupin e shtetit tonë, të populli tonë. Plaga e tretë do të thoja që është drejtësia e munguar. Nuk ka pasur drejtësi kurrë për familjarët të cilët i humbën më të dashurit e tyre, ata u masakruan, u rrëmbyen, nuk dihet për një pjesë të tyre, për fatin e tyre dhe familjaret tash e 22 vite prej asaj date jetojnë për çdo ditë me peshën, e me vuajtjen e rëndë për fatin e pazbardhur të familjarëve të tyre”, ka thënë ai.

Ai ka kujtuar edhe intelektualin e patriotin e madh, Ukshin Hoti.

“Të mos harrojmë që njëri prej personaliteteve më të shquara te kombit shqiptar ka lindur këtu, është vendlindja e tij dhe po atë fat e ka pas edhe ai, po flas për intelektualin e patriotin tonë të madh Ukshin Hoti, i cili u zhduk në muajin maj të vitit 1999 prej forcave policore të Serbisë, dhe që prej asaj date nuk dihet gjë për fatin e tij. Institucionet duhet të bëjnë dukshëm më shumë se që kanë bërë përpara për të gjitha këto që i thash, duke e përfshirë edhe zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit”, tha Konjufca.

Sipas tij gjaku i të rënëve të Krushës së Madhe dhe të Krushës së Vogël qëndron në themelet e shtetit tonë, qëndron në themelet e lirisë të Republikës së Kosovë.

U.d presidenti Konjufca ka bërë homazhe edhe në Krushë të Vogël, në nderim të martirëve të rënë në masakrën e cila u krye prej forcave policore ushtarake dhe paramilitare të Serbisë, në mars të vitit 1999.

Ai ka thënë se Serbia absolutisht nuk e ka marrë dënimin e merituar si shtet për të gjitha ato veprime gjenocidale, gjenocidin që e ka bërë në Kosovë gjatë luftës së fundit të viteve 98-99.

“Në Serbi jo vetëm që mijëra kriminel të luftës janë të lirë e të padënuar, të patrajtuar nga drejtësia, por çka është më e keqja përmes politikës së sotme të cilën po e zhvillojnë përfaqësuesit shtetëror të Serbisë, po na tregojnë që Serbia në masë të madhe nuk është shkëputur nga ajo logjikë e atij pushteti e cila e ka shkaktuar gjenocidin në Kosovë gjatë luftës së fundit”, ka thënë ai.

Sipas tij, edhe veprimet e institucioneve tona kane shkaktuar pakënaqësi të mëdha ndonjëherë te familjarët e të rënëve të masakrës së Krushës së Vogël.

“Për shembull, përgjysmimi i dënimit të njërit prej kriminelëve të luftës, i cili është dënuar prej gjykatave tona për pjesëmarrje aktive në masakrën e Krushës së Vogël, ka shkaktuar indinjatë të thellë te i gjithë populli i Kosovës, por në veçanti te familjarët të cilët i kanë humbur më të dashurit e tyre gjatë kësaj masakre. Ky nuk ka qenë aspak një sinjal i mirë prej anës së institucioneve tona që rastet e krimeve të luftës do të ndiqen dhe do të dënohen”, ka theksuar Konjufca./Insajderi.com