Konjufca: Hapja e 58 shtëpive të reja në Veri nga Serbia – kolonizim tipik

Konjufca: Hapja e 58 shtëpive të reja në Veri nga Serbia – kolonizim tipik

Ish ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë “Kurti”, Glauk Konjufca, ka quajtur “kolonizim tipik” hapjen e sotme të 58 shtëpive të reja nga Serbia, në veri të Kosovës, njofton Insajderi.

Siç thotë ai, një gjë e tillë nuk është e rastësishme duke qenë se sot është edhe Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve.

Me anë të një postimi në Facebook, Konjufca ka reaguar ndaj kësaj lëvizjeje të shtetit serb, për çka thotë se tregon qartë se Serbia nuk ka asnjë keqardhje a pendesë për gjenocidin e shkaktuar në Kosovë.

“Përcaktimin e vërtetë të shtetit serb ndaj shqiptarëve dhe Kosovës e tregon më së miri ngjarja e sotme në pjesën e veriut të shtetit tonë. Nuk është e rastësishme as data që e ka zgjedhur Serbia. Përmes kësaj tregon që nuk ka asnjë keqardhje a pendesë për gjenocidin e shkaktuar në Kosovë”, shkruan ish ministri në postimin e tij.

“Ky është kolonizim tipik. 58 shtëpi të koncentruara, në një lagje te vetme, në pjesën më strategjike të pjesës së veriut. Shtëpi të ndërtuara nga qeveria e Vuçiqit aty ku më parë kurrë nuk kishte asnjë shtëpi”, ka shkruar tutje Konjufca.

Sipas tij, delegacioni i Kosovës për dialog me Serbinë në Bruksel pranon tema të tilla siç ishte kthimi i serbëve që e kanë lëshuar Kosovën që prej vitit 1976.

“Në momentin që pranohet për dialog një temë e tillë, automatikisht legjitimohet teza e Akademisë Serbe se shqiptarët paskan ushtruar presion dhe apartheid ndaj serbëve të Kosovës. Përmes këtyre konstrukteve shoveniste Serbia synon ta mbulojë gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve”, shkruan Konjufca.

Madje ai ironizoi me qeverinë aktuale, pasi, sipas tij, ende nuk ka asnjë reagim nga Qeveria apo institucionet e Kosovës.

“Kur ta merr vesh kryeministri Hoti këtë veprim nga mediat, me siguri del edhe e dënon ‘ashpër’. E kjo është dukshëm më pak se që bën një OJQ aktive për këtë çështje”, deklaroi Konjufca. /Insajderi.com