Anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se i vetmi koalicion parazgjedhor i garantuar deri më tani i kësaj partie është me iniciativën politike të Vjosa Osmanit dhe me asnjë subjekt tjetër politik, transmeton Insajderi.
I ftuar në emisionin “DESKU” në KTV, Konjufca thotë se ende nuk është konkretizuar diçka midis partisë të cilës i takon dhe asaj të Osmanit, por se ka një lloj reciprociteti mes tyre.
“LVV e ka shpjeguar me transparencë para opinionit jo vetëm tash, që i vetmi bashkëpunim i garantuar politik deri sot është me zonjën Vjosa Osmani dhe alternativën e saj politike që e ka prezantuar, rrugën që e ka zgjedhur të pavarur nga LDK-ja, deri tash dorën ia kemi zgjatur asaj dhe jo subjekteve tjera politike”, tha ai.
“Ajo e ka shprehë vullnetin e saj se do bashkëpunojë me LVV-në, ka një lloj reciprociteti mes VV-së dhe Vjosa Osmanit që të ketë bashkëpunim që nuk e përjashton kandidimin tonë në një listë të përbashkët”.
“Në aspektin elektoral nuk e kemi pasë asnjë takim konkret për ta formalizuar”, ka shtuar tutje Konjufca.
Ai shprehet se varet nga Osmani nëse do të dalin me një listë të përbashkët zgjedhore, e që le të nënkuptohet se më të do të krijohet një front i përbashkët për ndryshime politike.
“Varet nga zonja Osmani, jemi të hapur për cilindo skenar që ndodhë sepse në këto zgjedhje ajo që është kryesore pritet t’i fitojë në mënyrë dërrmuese LVV-ja”, ka thënë ai. /Insajderi.com