Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thumbuar kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në një paraqitje televizive.
Konjufca ka thënë se njerëzit si Mustafa, që përfaqësojnë, siç është shprehur ai, gardën e vjetër të LDK-së, kujdesen veç për pozitën personale.
“Ata nuk kanë princip tjetër jetësor, të të udhëhequrit në politikë, përpos, le të themi, një konsideratë shumë të kujdesshme dhe të hollësishme për pozitën e tyre personale, dhe për lartësinë e pushtetit në të cilin ata do të ndodhen, përmes pazareve politike. Të tjerat janë sekondare për ta”, ka thënë Konjufca në KTV.
“E pamë edhe tash, kur Lëvizja Vetëvendosje ishte shumë e hapur, shumë e sinqertë për bashkëpunim, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes fyerjeve, sharjeve e akuzave, duke e përdorur vetëm një shprehje për ne (‘ata janë molotovë’), i kontribuoi shkuarjes së AKR-së te koalicioni PAN”, është shprehur ai.