Konjufca ka treguar se a do ta ftojnë NISMA-në në koalicion

Konjufca ka treguar se a do ta ftojnë NISMA-në në koalicion

Ka përfunduar takimi i grupeve punese të LVV-së dhe LDK-së, ku pas takimit është thënë se u bisedua për programin qeverisës.

Glauk Konjufca nga LVV tha se kanë folur për temat të cilat e presin vendin dhe reformat e thella sektoriale.

Ai ka mohuar se është diskutuar për ndarje të ministrive.

“Nuk mund të flas në hollësi sepse ne mendojmë që gjëja më e mirë e cila do t’i mund t’i kontribuonte kësaj atmosfere shumë të mirë të bashkëpunimit me të cilën filluan takimet tona do të ishte njëfarë lloj mirëbesimi, që e kemi ne në trajtimin e temave. Kështu që, krejt çka do të mund të thosha unë sot është që ne kemi shumë nevojë për reforma të thella në drejtësi, në arsim, në shëndetësi, në administratë. Pra, janë folur më shumë reformat sektoriale për të cilat ne kemi nevojë, nuk është folur as për ministri”, tha ai.

Ai deklaroi se nuk kanë kushte për LDK, e sipas tij as LDK nuk ka kushte për ta për qeverisjen e ardhshme.

“Kurrfarë kushti nuk ka pasur, takimi ka qenë në atmosferë shumë miqësore dhe në një bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Unë mendoj që kjo është rruga e duhur për arritjen e qeverisjes. As ne nuk kemi kushte për LDK as ata nuk kanë kushte për neve. Ky nuk ka qenë takim i kushteve, as përballje mes kushteve. Ky ka qenë një takim shumë i mirë me ç’rast janë fol temat më të rëndësishme të cilat e presin qeverinë e ardhshme dhe reformat sektoriale. Duke filluar prej atyre politike, në politikën e jashtme, pastaj në politikën e brendshme. Njëra prej temave është edhe dialogu”, tha ai.

I pyetur se nëse koalicioni Nisma-AKR-PD e kalon pragun a do t’i ftojnë për koalicion, ai tha se për këtë temë nuk kanë folur.

“Kjo nuk ishte temë e diskutimit tonë”, tha ai.