Në Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, janë gjithsej 12 deputetë të cilët kanë marrë poste ekzekutive dhe të njëjtit kanë humbur mandatet e tyre në Kuvend, transmeton Insajderi.
Ata pritet të zëvendësohen nga kandidatët e radhës për t’u ulur në karriget e legjislativit. Prej tyre, nëntë janë nga LVV-ja dhe tre nga komunitetet jo shumicë.
Ndërkohë, pasditen e sotme, ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka dorëzuar kërkesën në Komisionin Qendror Zgjedhor për zëvendësimin e tyre.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për KP se nesër pritet të mblidhen për të bërë rekomandimin e kandidatëve të radhës për zëvendësim në Kuvend.
“KQZ ka pranuar kërkesën nga ana e ushtruesit të detyrës së presidentit së Kosovës për të bërë rekomandimin e kandidatëve të radhës për të zëvendësuar deputetët e deritanishëm, që kanë marrë funksione në ekzekutivin e vendit. Besojmë që gjatë ditës së nesërme KQZ do të mblidhet për të bërë rekomandimet përkatëse për secilin prej këtyre kandidatë”, ka deklaruar Elezi./Insajderi.com