Konjufca-Lajçakut: Integriteti territorial dhe pavarësia e Kosovës janë të panegociueshme

Konjufca-Lajçakut: Integriteti territorial dhe pavarësia e Kosovës janë të panegociueshme

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në takim me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, ka theksuar se rendi kushtetues, sovraniteti, integriteti territorial dhe pavarësia e Kosovës janë të panegociueshme.

Po ashtu është shprehur se dialogu me Serbinë duhet të rezultojë me njohje reciproke.

Kështu është bërë e ditur nga Zyra për media e Kuvendit të Kosovës, përmes një komunikate për media.

Ndër të tjera në takim është biseduar edhe për bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

“Asnjëherë nuk do të pranojmë që këto postulate të shtetit tonë të jenë temë e bisedimeve me Serbinë”, ka pohuar Konjufca.

Kreu i Kuvendit po ashtu ka vënë në dukje angazhimet parlamentare lidhur me miratimin e ligjeve dhe harmonizimin e tyre me ato të BE-së, duke ritheksuar se perspektiva e Kosovës është në Bashkimin Evropian.

Gjatë ditës Lajçak do të takojë edhe liderët e partive opozitare, përfaqësuesit e Organizatave joqeveritare dhe drejtues të Odës Ekonomike të Kosovës./Insajderi.com