Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, thotë se stabiliteti dhe paqja në Ballkanin Perendimor janë të lidhura në mënyrë qenësore me qasjen e BE-së ndaj këtij rajoni, njofton Insajderi.
Konjufca kështu u shpreh në Samitin e Dytë të Parlamentit Evropian ku mori pjesë bashkë me kryetarët e parlamenteve të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Ai ka thënë se në të njëjtën masë që për Ballkanin është domosdoshmëri bashkimi në familjen evropiane, po sipas të njëjtës nevojë BE-ja e ka të domosdoshme përfshirjen e BP në gjirin e vet.
Konjufca ka shtuar se mësimet e duhura janë të gatshme në histori.
“Në fillim të viteve ’90-të në Evropë ka pasur edhe forca politike shkurtpamëse të cilat krizën e shpërbërjes së Jugosllavisë e shihnin si një zjarr të jashtëm ndaj të cilit kërkohej mbajtja e një distancë e sigurt. Pse t’i djegim duart pa nevojë në një mori luftërash që nuk janë tonat – thoshte motoja e tyre. Por pikërisht kjo qasje rrezikoi që zjarri të përhapej përtej Ballkanit. Ishte pikërisht ndërhyrja ndërkombëtare politiko-ushtarake në Ballkan më 1995 e 1999 ajo që i dha shans paqes dhe e stabilizoi rajonin tonë. Qe 22 vite nuk ka më luftëra. Ato pak çështje të hapura që kanë mbetur, po i zgjidhim me bisedime. Por optimizmi dhe entuziazmi i popujve të BP për BE-në nuk është një adhurim i pakondicionuar. Në kushtet e sotme vendet e BP mund të ndjehen të lëna anash e të dezorientuara vetëm nëse shtetet kryesore të BE-së e aplikojnë doktrinën e cila quhet ‘njëherë thellim pastaj zgjerim’”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se po ashtu, mesazhet negative si ky që e mori Kosova qysh nga viti 2017 për liberalizimin e vizave janë kontribut që e zvogëlon frymën e vlerave evropiane në Kosovë.
“Bllokimi i këtij procesi nga disa shtete anëtare është i paarsyeshëm. E në anën tjetër, as vonesat e BE-së apo mungesat e koncensusit evropian nuk duhet të na shërbejnë si justifikim për moskryerjen e detyrave shtëpiake. Reformat në drejtësi, ekonomi, administratë e arsim janë të pazëvendësueshme. Forcimi i demokracisë dhe sundimit të ligjit, lufta e vendosur kundër korrupsionit dhe fuqizimi i transparencës, si dhe mbrojtja e pakompromis e të drejtave të njeriut dhe pakicave janë janë sine qua non i shoqërive të lira e të hapura”, thotë Konjufca. /Insajderi.com