Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe të premten e 30 prillit në kompleksin memorial në Vërboc dhe Shtuticë të Drenasit, në nderim të mbi 170 shqiparëve të vrarë e masakruar nga forcat ushtarake e policore serbe, njofton Insajderi.
Kryekuvendari Konjufca, takoi disa prej familjarëve të të rënëve dhe u shprehu mirënjohje për kontributin e dhënë dhe për sakrificën që ata kanë bërë për lirinë e vendit.
I pari i legjislativit ka shtuar se është obligim i të gjithëve që të rikujtohet dhe të mos harrohen këto ngjarje, siç tha ai, “gjaku i derdhur i heronjve qëndron në themelet e shtetit të Kosovës”.
Në njoftimin për media të Kuvendit të Kosovës njoftohet se ai ka thënë që “institucionet duhet të angazhohen e të kërkojnë drejtësi, dhe personat të cilët i kanë kryer këto krime lufte të vihen para drejtësisë”.
Vizitën e tij, Konjufca e vazhdoi dhe në Kullën e heroit Ilaz Kodra në Prekaz, ku takoi familjarë dhe bashkëluftëtarë të heroit.
Ai u shpreh se Ilaz Kodra bashkë me të rënët e tjerë e kanë shkruar historinë me pushkë e me shumë sakrificë.
“Ndjenja e krenarisë duhet ta tejkalojë pikëllimin të cilin e ndjen secili prej nesh. Është një jetë e tërë e lavdishme që ia keni dhënë kombit shqiptar, prandaj të gjithë duhet të përkulemi para veprave të të rënëve, për sa të jemi gjallë”, përfundoi Konjufca. /Insajderi.com