Konjufca: Në Hagë po mbahen komandantët më të shquar të UÇK-së

Konjufca: Në Hagë po mbahen komandantët më të shquar të UÇK-së

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se në Hagë po mbahen komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njofton Insajderi.

Në një intervistë për ‘Radio Televizionin e Kosovës’, Konjufca e quajti luftën e UÇK-së të pastër dhe të domosdoshme.

Ai ka thënë se është politikë e Qeverisë Kurti që të merret aktivisht në procesin që po ndodh në Hagë, duke i mbrojtur krerët e UÇK-së, duke prezantuar prova në favor të mbrojtjes dhe përgënjeshtruar pozicionet e Serbisë me të cilat po synon ta minojë edhe luftën çlirimtare edhe karakterin e saj të pastër.

“Pa dyshim politikë zyrtare e shtetit tonë, e qeverisë sonë, e institucioneve tona është që të konsolidojmë grupet të cilat do të merreshin me mbrojtjen e tyre, që do të ishin aktivë në këtë proces, jo thjeshtë spektatorë. Ne të themi që është një proces i drejtësisë ndërkombëtare dhe ne po e vëzhgojmë se si po zhvillohet. Kështu ka qenë fatkeqësisht qasja e qeverisë së kaluar. Tash Qeveria e re duhet të merret si pjesëmarrje aktive në procesin që po ndodh atje duke i mbrojtur përfaqësuesit tanë, duke prezantuar prova në favor të mbrojtjes dhe duke përgënjeshtruar pozicionet e Serbisë me të cilat synon të na i minojë edhe luftën çlirimtare edhe karakterin e saj të pastër, por edhe tek e fundit shtetësinë dhe kredibilitetin në arenën ndërkombëtare të sovranitetit të Kosovës”, tha ai.

Ai foli edhe për dialogun me Serbinë, ku u shpreh pesimist se brenda këtij viti mund të arrihet një marrëveshje. /Insajderi.com