Kryetari i Kuvendit të Kosvës, Glauk Konjufca, ka kritikuar Bashkimin Evropian, për mosliberalizimin e vizave për kosovarët, përcjell Insajderi.com.
Në një fjalim të mbajtur në parlamentin e Hungarisë, Konjufca tha se ky është një shembull negativ i keqmenaxhimit të procesit.
Sipas tij, edhe pse Kosova i ka plotësuar kriteret për liberalizim të vizave, disa shtete të BE-së e bllokojnë këtë proces padrejtësisht.
“Edhe pse Komisioni Evropian ka vlerësuar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e nevojshme, disa shtete anëtare e bllokojnë padrejtësisht liberalizimin e vizave për Kosovën. BE-ja duhet ta gjejë kurajon që përmes një programi të optimizimit të kritereve dhe reformave, pas Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, ta përfshinte BP përnjëherë, pra të gjitha shtetet e mbetura në të njëjtën kohë”, shtoi Konjufca.
Po ashtu, Konjufca ka kritikuar Bashkimin Evropian për qasjen ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke thënë se zhvillimi dhe demokratizimi i këtij rajoni varet krejtësisht nga anëtarësimi në BE.
“Mbi të gjitha po e cmoj këtë nismë të Presidentit Kover meqë diskutimi ynë sërish po përqendrohet në procesin e zgjerimit të BE-së. Shteteve tona të Ballkanit Perëndimor kjo ua shton edhe më tepër shpresat për një të ardhme të sigurt e të përbashkët në familjen e madhe e demokratike evropiane.
Na ishte një kohë para 20 vitesh kur BE-ja e kuptonte më mirë se ne rëndësinë fundamentale të përfshirjes së Ballkanit Perëndimor. 2 dekada prapa, me keqardhje mund të konstatojmë që për herë të parë në histori të Evropës, është pikërisht Ballkani Perëndimor që po e kupton më mirë se BE-ja domosdoshmërinë e zgjerimit”, theksoi ai.
Tutje, kryeparlamentari Kosovar ka folur edhe për vështirësitë e pandemisë COVID-19 që kanë përfshirë gjithë botën.
“Kontinenti ynë po del dalëngadalë nga një krizë e madhe të cilën e shkaktoi pandemia. Edhe dy muaj bëhen dy vite prej kur u shfaq në botë virusi COVID 19. Bota ndryshoi përgjithmonë. Gati 4,5 milionë njerëz e gjetën vdekjen nga ky virus i rrezikshëm. Kurse ekonomia gjithandej pësoi goditje të rëndë. Por pikërisht nga kjo tragjedi lindi edhe një solidaritet më i madh mes shteteve e popujve. Njerëzimi po triumfon. Të gjithë po e kuptojmë më mirë se vetëm të bashkuar e dukë i ndihmuar njëri-tjetrit mund t’u bëjmë ballë të papriturave që mund të na i sjell koha”, tha ai./Insajderi.com