Konjufca priti në takim delegacionin e Kongresit Pan-Shqiptar Amerikan

Konjufca priti në takim delegacionin e Kongresit Pan-Shqiptar Amerikan

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim gjatë ditës së sotme një delegacion të Kongresit Pan-Shqiptar Amerikan, në  përbërje të kryetarit Bruno Ceka, drejtorit Martin Vulaj, dhe anëtarëve Genc Mulliqi, Gëzim Rushiti e Vullnet Dervishi, shkruan Insajderi.

Në njoftimin e dërguar për media thuhët së anëtarët e delegacionit të Kongresit Pan-Shqiptar Amerikan e përgëzuan kryekuvendarin Konjufca për detyrën e re.

“Ata e njoftuan të parin e Kuvendit lidhur me aktivitetet e deritashme të KPA-së dhe planet për të ardhmen, si dhe u zotuan se do të vazhdojnë dhe mbështetjen e fuqishme ndaj Kosovës, krahas angazhimit për realizimin e aspiratave kombëtare shqiptare në tërësi”, është shkruar më tej.

Kryekuvendari Konjufca shprehu mirënjohje të thellë për kontributin e çmuar që ka dhënë dhe vazhdon të jap për Kosovën Kongresi Panshqiptar Amerikan dhe përgjithësisht mërgata jonë në ShBA.

“Aleanca strategjike me ShBA-të është fat i madh për Kosovën dhe kombin shqiptar. Marrëdhëniet speciale të shtetit tonë me Amerikën i forcon dhe iu jep kuptim edhe më domethënës komuniteti shqiptaro-amerikan. Aktivitetet dhe avokimi juaj janë të domosdoshme dhe të një rëndësie të veçantë për Kosovën, prandaj ato duhet t’i harmonizojmë rreth një platforme sa më unike”, theksoi ndër të tjerat Konjufca. /Insajderi.com