Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, të hënën ka pritur në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger, me të cilin ka biseduar për menaxhimin e pandemisë COVID-19, njofton Insajderi.
Në njoftimit për medie të Kuvendit bëhet e ditur se Ambasadori Weidinger ka theksuar se pandemia paraqet një sfidë të jashtëzakonshme për të gjithë botën.
Ai po ashtu e ka uruar Konjufcën për detyrën e re si dhe ka deklaruar se Austria do të vazhdojë të mbështesë popullin e Kosovës, në udhëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian.
“Me këtë rast Konjufca ka falënderuar ambasadorin z. Weidinger për urimin, si dhe për bashkëpunimin në mes të dy parlamenteve, atij Austriak dhe të Kosovës, duke cekur edhe programin “Demos-ti”, si program edukativ-qytetar për fëmijët e shkollave fillore dhe të mesme, nëpërmjet të cilit ata fitojnë njohuri për demokracinë dhe funksionimin e Kuvendit.
Konjufca ka përmendur edhe ndihmën e vazhdueshme e të gjithanshme të cilën Austria i ka ofruar Kosovës, duke shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit në mes të dy shteteve.”, thuhet në njoftim./Insajderi.com