Konjufca takon Kurtin e Osmanin, i premtojnë se Ligjin për Zgjedhjet do ta ndryshojnë në dialog me opozitën

Konjufca takon Kurtin e Osmanin, i premtojnë se Ligjin për Zgjedhjet do ta ndryshojnë në dialog me opozitën

Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Kosovës, Glauk Konjufca, bën të ditur se të shtunën ka takuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti dhe kandidaten për presidente, Vjosa Osmani, të cilët tha se i kanë premtuar dhe garantuar që gjithçka ka të bëjë me Ligjin për zgjedhjet do të jetë pjesë e një procesi të ardhshëm dialogimi mes mazhorancës dhe opozitës.

Konjufca, përmes një deklarate me të cilën i është drejtuar qytetarëve të Kosovës, ka kërkuar që mazhoranca e Kuvendit të garantojë që mos bëjë asnjë veprim pa u konsultuar me opozitën në këtë aspekt, kurse opozita që nuk do ta bojkotojë procesin e zgjedhjes së Presidentin, me qëllim të shmangies së zgjedhjeve të përsëritura.

“Sot e kam takuar Kryeministrin Albin Kurti dhe kandidaten për Presidente të Kosovës znj. Vjosa Osmani. Kam diskutuar me ta mbi rëndësinë e kompletimit të kësaj faze të tretë të krijimit të institucioneve tona. Pamundësia që brenda afateve kushtetuese ta zgjedhim Presidentin e ri e çon vendin tonë në zgjedhje të reja. Askush nuk dëshiron që Kosova të hyjë në zgjedhje të reja, duke krijuar pasiguri kushtetuese dhe duke humbur shumë kohë. Republika e Kosovës ka nevojë për stabilitet politik e institucional dhe qeverisje demokratike bazuar në vullnetin elektoral të qytetarëve”, thuhet në deklaratën e Konjufcës.

Më tej, Konjufca ka thënë se “Për ta krijuar një atmosferë të domosdoshme mirëbesimi para se të hyjmë në këtë proces, ata më premtuan dhe garantuan që gjithçka ka të bëjë me ligjin për zgjedhjet do të jetë pjesë e një procesi të ardhshëm dialogimi mes mazhorancës dhe opozitës dhe se bashkë do ta bëjmë dhe përmbyllim reformën zgjedhore”.
“Kështu që, pas vullnetit të qartë që e shprehu mbrëmë opozita me votën e tyre në Kuvendin e Kosovës, nuk mbetet tjetër veçse të sigurohemi që mazhoranca e Kuvendit të garantojë që mos bëjë asnjë veprim pa u konsultuar me opozitën në këtë aspekt, kurse opozita që nuk do ta bojkotojë procesin e zgjedhjes së Presidentin, me qëllim të shmangies së zgjedhjeve të përsëritura”.

Të premten, Vetëvendosje inicioi ndryshimet e shpejta në këtë ligj. Kjo u pa si shantazh nga partitë opozitare, sidomos pas deklaratës së kryeministrit Kurti që kërcënoi opozitën me zgjedhje të reja, nëse nuk ia mundëson kuorumin për ta zgjedhur Vjosa Osmanin presidente. Seanca u mbajt në mbrëmje, por në votim VV-ja nuk pati 2/3 e votave për ta kaluar ligjin në procedurë të përshpejtuar. Pas mbledhjes, LDK-ja kërkoi tërheqjen e ligjit për ta votuar Osmanin, ndërsa VV-ja u shpreh se nuk tërhiqet./Insajderi.com