Konjufca takon Shoqatën “Thirrjet e Nënave”: Do të kërkojmë me ngulm zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Konjufca takon Shoqatën “Thirrjet e Nënave”: Do të kërkojmë me ngulm zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur përfaqësueset e Shoqatës “Thirrjet e Nënave” nga Gjakova, të cilat ia kanë përsëritur kërkesën e tyre për angazhim edhe me të madh të institucioneve për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Në këtë takim, të dyja palët janë pajtuar se nuk është bërë mjaftë për të zbardhur fatin e të pagjeturve.

“Nënat gjakovare përsëritën kërkesën e tyre për angazhim edhe më të madh të institucioneve për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, si dhe shtruan nevojën për rregullim më të mirë ligjor lidhur me mbështetjen institucionale për familjet e të pagjeturve. Konstatuam se asnjëherë nuk mund të thuhet se është bërë mjaft në angazhimin për të ndriçuar fatin e të pagjeturve”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Kreu i Kuvendit me këtë rast u ka premtuar përfaqësueseve të kësaj shoqate, se  në çdo rrethanë do të kërkojnë me ngulmë zbardhjen e fatit të edhe 1600 të pagjeturve.

“Në çdo rrethanë, do të kërkojmë me ngulm zbardhjen e fatit të tyre. Kurrë nuk do pushojmë së kërkuari që të gjithë kriminelët e luftës të vihen para drejtësisë dhe që Serbia të japë llogari për krimet e kryera në Kosovë”, ka thënë Konjufca. /Insajderi