Konjufca: Veriu është i okupuar, sheti duhet ta kategorizoj si të tillë

Konjufca: Veriu është i okupuar, sheti duhet ta kategorizoj si të tillë

Glauk Konjufca, kryetar i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes ka thënë se Kosova duhet ta kategorizojë veriun si territor të okupuar nga strukturat e paligjshme të Serbisë.

“Gjendjes në veri i duhet një kategorizim i saktë. Nëse gjendja shihet si jo normale, atëherë kjo pjesë e territorit duhet të quhet pjesë e pushtuar nga strukturat e paligjshme të Serbisë, kjo do të determinonte veprimet e Kosovës ndaj kësaj pjese”, ka thënë Konjufca.

Ai më tutje ka thënë se Kosova është shembull i spastrimit etnik nga Serbia, ndërsa ka kërkuar nga institucionet që të përdorin këtë kategorizim në paraqitjet e tyre në OKB dhe Bruksel.

Konjufca më tutje ka thënë se Qeveria është dorëzuar para dhunës që kanë përdorur strukturat serbe.

“Qeveria është dorëzuar para dhunës që është përdorur nga strukturat e Serbisë. Kjo dhunë ka ndalur ndërtimin e shtëpive dhe kthimin e shqiptarëve në veri të Kosovës. Qeveria ka dështuar t’i shpërbëjë ato”, ka thënë ai.

Ai gjithashtu ka thënë se Kosova ka edhe struktura paralele zyrtare si Goran Rakiq, kryetar i komunës së Mitrovicës së Veriut.

“Barrikada nuk është vendosur nga strukturat paralele, atë e ka vendosur Goran Rakiq, që është strukturë paralele zyrtare”, ka thënë ai.

Sipas tij krimet në veri më së miri tregojnë që Qeveria e Kosovës nuk ka asnjë kontroll mbi veriun.

“Aq pak ka kontroll në veri Qeveria, sa që krimet kryesore atje kanë mbetur të pa zbardhura. Vetëm kujtojeni vrasjen e Enver Zymberit, dhe dorasit e tij ende nuk janë nxënë. Edhe një pjesëtar i EULEX-it është vrarë atje dhe nuk ka asnjë zbardhje të rastit, kjo ka ndodh pasi nuk jemi të pranishëm në veri”, është shprehur Konjufca.

Dështimet në veri sipas Konjufcës janë partneritet vendor dhe ndërkombëtar.

“Dështimet atje janë partneritet vendor dhe ndërkombëtarë. Gabimi më i madh është bërë me Pakon e Ahtisarit. Pakoja serbëve iu jep vetëm komuna, negociatat e Qeverisë janë ato që iu japin institucione serbëve”, ka thënë Konjufca.