Shpallja e konkurseve për vende të reja të punës në institucionet publike në kohë zgjedhjesh, ishte dhe mbetet dukuri që e përcjell Kosovën, thonë përfaqësues të organizatave joqeveritare.
Në shumicën e institucioneve qendrore dhe lokale, tashmë janë shpallur konkurse për vende të reja të punës, ndërkohë që aktivitetet zgjedhore po intensifikohen.
Kjo praktikë e punësimit në kohën kur qeveria është në largim, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, paraqet abuzim, për shkak se partitë në pushtet, thuhet se po e shfrytëzojnë situatën për punësim të përkrahësve partiakë.
Në faqet e internetit të disa institucioneve shtetërore dhe komunale, siç janë faqet e internetit të Ministrisë së Drejtësisë, asaj të Infrastrukturës, Ministrisë së Diasporës, asaj të Administratës Publike, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e po ashtu edhe në nivelin lokal, ku janë identifikuar Komuna e Prishtinës, e Podujevës dhe ajo e Prizrenit e komuna tjera, figurojnë shumë konkurse të hapura për punësime.
Këto ministri udhëhiqen nga partitë që kanë qenë pjesë e koalicionit të fundit qeverisës, kurse komunat udhëhiqen edhe nga partitë që ishin në opozitë gjatë mandatit të fundit të institucioneve qendrore.
Ehat Mifaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, se institucionet po keqpërdorin bazën ligjore për të punësuar përkrahës apo militantë të partive politike, në mënyrë që në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 6 tetorit, këto punësime, sipas tij, të kthehen në vota.
“Zakonisht në fund përzgjidhen personat ose që janë të afërt me politikanë, të afërm të ministrave ose kryesisht militantë politikë. Veçanërisht në këtë mandat qeverisës, partitë politike në kuadër të kësaj qeverie kanë qenë kampione të keqpërdorimit të këtij procesi”, shprehet Miftaraj, shkruan REL.
Edhe Besnik Boletini, hulumtues në organizatën joqeveritare “Çohu”, në një bisedë thotë se konkurset e shpallura në institucione në këtë kohë zgjedhjesh, kryesisht shërbejnë për punësimin e militantëve të partive politike, por ka raste edhe të punësimeve mbi baza familjare.
“Sigurisht që edhe kjo që po ndodh tani është në këtë kuadër. Tashmë partitë politike kanë filluar aktivitetet për zgjedhjet e 6 tetorit. Tashmë jemi shumë afër fushatës zyrtare, një fushatë që pritet të jetë shumë konkurruese dhe e egër. Dhe në këtë kuadër, partitë që janë në pushtet dhe i kanë ruajtur këto konkurse deri tash, dëshirojnë që të joshin elektoratin, votuesin, sepse nëse punësohet një person, rrjedhimisht i merr votat edhe të familjes. Kjo është ideja e të gjitha këtyre konkurseve në këtë periudhë, pra që të tërheqin sa më shumë elektorat”, tha Boletini, shkruan REL.
Ndryshe, numri i madh i të punësuarve në administratën publike, ka ndikuar edhe në zbatimin e reformave në administratën publike, reforma këto që në vazhdimësi janë kërkuar nga Komisioni Evropian në raportet e progresit.
Kurse ka rreth një vit që përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovës i kanë shpeshtuar kritikat në drejtim të institucioneve të Kosovës, lidhur me fenomenet negative, si nepotizmi, korrupsioni apo për dukurinë, siç po quhet, të “kapjes së shtetit”.
insajderi.com