Konkursi për specializantët i politizuar, thonë nga Oda e Mjekëve

Konkursi për specializantët i politizuar, thonë nga Oda e Mjekëve

Ministria e Shëndetësisë, këtë të enjte, ka hapur konkursin për 1 mijë e 34 specializime të fushave të ndryshme.

Por, kjo iniciativë e Ministrisë po konsiderohet e kundërligjshme, pasi që nuk është përfshirë Oda e Mjekëve të Kosovës. Sipas kësaj ode, i gjithë procesi është i politizuar dhe për këtë duhet të pezullohet ky konkurs.

Në Ligjin për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë, në nenin 9, paragrafi 1 thuhet se këto oda duhet të bëjnë verifikimin e ligjshmërisë së procesit të shkollimit specialistik dhe të organizojë provimin specialistik dhe sub-specialistik, raporton Koha.

E ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, përmes një konference për media, njoftoi për hapjen e këtij konkursi, e që sipas tij kishte mbetur i bllokuar për tash e 4 vjet edhe pse para 4 vjetësh në krye të kësaj ministrie ishte bashkëpartiaku i tij, Imet Rrahmani.

Zemaj, duke premtuar se konkurse të tilla do të hapen çdo vit, tha se kanë respektuar Ligjin për shëndetësi dhe ka bërë thirrje që të gjithë ta përkrahin këtë proces.

Në 2016 ishte hapur konkursi i fundit për specializantë të fushave të ndryshme të mjekësisë, e që ishte shoqëruar me pakënaqësi të shumta nga kandidatët./Insajderi.com