Konspiracioni për agjentët sekret dhe arroganca e thellësisë së mendimit

Konspiracioni për agjentët sekret dhe arroganca e thellësisë së mendimit

Albin Kurti mori timonin e drejtimit të Lëvizjes Vetëvendosje duke shpalosur një program dhe një plan, baza e të cilit, për të si lider, ishte bëra një me popullin. Në deklarimet e tija publike thoshte se do të tentojë që të kuptohet sa më mirë me të gjithë qytetarët, madje duke planifikuar që figurat e partisë së tij të merrnin pjesë edhe në emisione të ndryshme jo politike, duke marrë pjesë edhe në emisione zbavistëse, në mënyrë që të jenë sa më afër të gjithëve.

Por në intervistën e tij të fundit, tek “Jeta në Kosovë”, Kurti teksa fliste për vetën në raport me të tjerët në parti por edhe për shumë fenomene u tregua arrogant duke e shpërfaqur vetën si një person të gjithëdijshëm. Më shumë se kaq, një lider, teoritë e të cilit janë  zor të kuptueshme.

Teksa fliste për mendimet e tija mbi shumë fenomene në Kosovë, Kurti në një moment arriti një shkallë tjetër të arrogancës.

“Mendimi im nuk është bash i thjeshtë për shumicën e gjërave”, tha Kurti në intervistë, duke iu referuar opinioneve të tija.

Më vonë ai e shpjegoi edhe akuzat ndaj tij për arrogancë brenda partisë.

“E di tash thonë, Albini diktator, albini autoritar e kështu me radhë por nuk është e vërtetë. Fjalën e fundit gjithmonë e kanë organet e Lëvizjes Vetëvendosje. Kurrë un nuk kam qenë mbi Lëvizjen Vetëvendosje, kam qenë njeriu më i zëshëm, i cili po me vullnet të hekurt i shtyn bindjet e veta,  por asnjëherë me dorë të hekurt”, tha ai.

Përtej arrogancës për thellësi mendimi, Kurti shfaqi edhe për një konspiracion që lidhet me agjentët sekret në Kosovë. “Zbuloi” edhe se si janë të lidhura argjenturat sekrete serbe me disa televizone në Kosovë

“Kritika ime ka qenë në Lëvizjen Vetëvendosje, shumë më herët se ka një drejtor në një televizion në Kosovë i cili i thërret në studio televizive njerëzit e udhëheqjes së Lëvizjes Vetëvendosje të cilët i merr met mirë dhe më pastaj provon që t’i influencojë”, tha Kurti në Jeta në Kosovë.

Ai drejtoi gishtin specifikisht kah Dardan Molliqaj, ish-sekretar organizativ me të cilën tashmë kanë më së shumti kundërshtime publike.

“Bëhet fjalë për një person i cili ka histori me Stanishiqin…unë fare nuk besoj që dikush në Lëvizjen Vetëvendosje ka mendësi të Stanishiqit por unë besoj që nga takimet që kanë pasur me të, më shumë ka pasur influencë të atij drejtori të televizionit tek aktivistët tonë e posaçërisht në ish-sekretarin sesa anasjelltas”,tha Kurti.

Intervistat e fundit edhe të Kurtit por edhe të tjerëve kundër tij në VV kanë shfaqur ndarjet e thella dhe kanë shpërfaqur akuza të reja mes dy palëve. Kësisoj shanset që VV-ja të qëndrojë e bashkuar po shuhen, teksa indikacionet e reja tregojnë për një parti të re, e dalë nga VV-ja./Insajderi.com