![Konstatohet se Vali Carleone ka çrregullime psikike – kërkohet që paraburgimi të mbahet në psikiatri](https://insajderi.com/wp-content/uploads/2018/03/vali-2.jpg)
Prokuroria Themelore në Gjilan, ka parashtruar në gjykatë kërkesën për paraburgim të Princvalentino Carleone me propozim që atë ta mbajë në institucionin e kujdesit shëndetësor, shkruan Insajderi.
Kërkesën e saj, që Carleone të mbahet në institucion të kujdesit shëndetësor, prokuroria e ka bazuar në raportin mjekësor me prova se i pandehuri ka çrregullime psikike.
“Propozoj që ndaj të pandehurit të i shqiptohet masa e paraburgimit me ndalim në institucionin e kujdesit shëndetësor, e cila masë të zgjasë derisa personi i tillë të jetë i rrezikshëm për rrethin dhe anëtarët e tjerë të familjes, por pa i kaluar afatet ligjore për përcaktimin e paraburgimit”, thuhet në kërkesën e prokurorisë që e ka siguruar Insajderi.
Sipas prokurorisë dyshohet se Corleone, që nga muaji janar i këtij viti në kohë të pacaktuar dhe vazhdimësi në shtëpinë e tij, për shkak të gjendjes së renduar mendore dhe çrregullimeve të rënda psikike ka shkaktuar dhunë në familje, shkruan Insajderi.
“Duke përdorë forcë dhe nën kërcënim të armës i dëbon nga shtëpia prindërit e vet tani të dëmtuarit Rifat dhe Habibe Sylejmani, të cilët nga frika se djali i tyre Princvalentino nuk qëndrojnë në shtëpi”.
“Ndërsa në mbrëmje të datës 05.03.2018 në momentin kur e dëmtuara Habibe shkon te shtëpia ku ishte i pandehuri Princvalentino, i cili ishte i mbyllur dhe nuk lejon asnjë komunikim me të tjerët, vëren se gjërat personale të të dëmtuarve dhe orenditë e shtëpisë ishin të demoluara, ndërsa djali i saj ishte në gjendje të rëndë psikike dhe nga frika se në atë gjendje do të ndërmarr ndonjë veprim me pasoja më të rënda, rastin e lajmroi në polici, e më pastaj i njëjti shoqërohet me dhunë në stacionin e policisë në Gjilan, në këtë mënyrë i pandehuri me veprimet e veta dhe në gjendje të rënduar psikike i ka vu në frikë dhe iu ka shkaktuar shqetësim emocional anëtarët e familjes tani të dëmtuarit e sipërshënuar”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.
Prokuroria
Vali Carleone është arrestuar pasditen e së hënën pas denoncimit të prindërve të tij për ngacmim.
Prokuroria pas kallëzimit penal kundër Corleones, ka konstatuar se është kryer vepra penale ngacmim./Insajderi.com