Konsulli serb: Izraeli i bindur se Prishtina nuk ndryshon vendimin për ambasadën në Jerusalem

Konsulli serb: Izraeli i bindur se Prishtina nuk ndryshon vendimin për ambasadën në Jerusalem

Konsulli i Nderit i Serbisë në Izrael, Aleksandar Nikoliq, thotë se Marrëveshja e Uashingtonit nuk ka përmendur hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, e as nuk e përcakton vendndodhjen e saj, por siç thotë ai, shteti izraelit është plotësisht i bindur se vendimi nuk do të ndryshojë, transmeton Insajderi.

Kështu u shpreh ai në një intervistë për mediumin serb “Kosovo Online”, ku thotë se Izraeli është i bindur se autoritetet në Prishtinë nuk do të ndryshojnë qëndrim në lidhje me lokacionin e hapjes së kësaj ambasade.

“Këtu, ata janë të bindur se udhëheqësit e shqiptarëve të Kosovës do të qëndrojnë në angazhimin e tyre të vështirë për aleancën me Shtetet e Bashkuara, madje edhe me koston e një ballafaqimi të caktuar me faktorë të tjerë me rëndësi për ta”, ka thënë ai.

“Nga ana tjetër, Jerusalemi zyrtar është i vetëdijshëm për atmosferën e ndryshuar në këtë temë nga ndryshimi i qeverisë në Uashington, mesazhe të qarta nga Brukseli (në një kohë dhe kundër qëllimeve të Pragës dhe Bukureshtit), Ankaraja dhe më në fund nga Lidhja Arabe”, tha Nikoliq. /Insajderi.com