Për shkak të insistimit të Bullgarisë në veton e saj, zgjerimi i BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, nuk do të vendoset në rend dite në mbledhjen e nesërme të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në Bruksel.
E vetmja mundësi për tu hapur kjo temë nëse eventualisht ndryshon diçka në çastet e fundit, mbetet mundësia për tu diskutuar në kuadër të pikës së fundit “të ndryshme”, njofton Insajderi.
Një burim i lartë diplomatik i BE-së, ju ka thënë gazetarëve mëngjesin e sotëm se bllokada bullgare për shkak të kontestit bilateral me Maqedoninë e Veriut e frustron të gjithë Bashkimin Evropian.
“Presidenca gjermane është frustuar që nuk ishte e mundur të bëhej zhvillim në kornizën e negociatave me Maqedoninë e Veriut. Ne bëmë gjithçka që mundëm, duke përfshirë edhe lehtësimin e një kompromisi midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ne nuk jemi të kënaqur që Bullgaria i bllokoi bisedimet e pranimit për shkak të çështjeve bilaterale me Maqedoninë e Veriut, prandaj vendet anëtare besojnë se nuk mund të përparohet as me Shqipërinë” ka thënë ky burim për mediat në Bruksel.
Diplomatët kanë thënë se “nuk ka dritë në fund të tunelit” lidhur me zhbllokimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut, për shkak se Bullgaria nuk dorëzohet në mosmarrëveshjen bilaterale, e cila krijoi një bllokadë të plotë në Këshill në lidhje me zgjerimin.
Përparim nuk pritet as deri në fund të presidencës gjermane, ndërsa liderët e BE-së të enjten dhe të premten në Bruksel “nuk do të kenë kohë të merren me zgjerimin” sepse agjenda është “tashmë e plotë”. Zgjerimi i BE-së me Ballkanin Perëndimor deri në fund të vitit ishte një shpresë për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por edhe një mundësi për tu regjistruar si e arritur e presidencës gjermane me Bashkimin Evropian, por sipas të gjitha gjasave një gjë e tillë nuk do të ndodhë deri më 31 dhjetor. /Insajderi.com