Një elegji për shtet-ndërtimin e brendshëm dhe shtet-forcimin e jashtëm. Pse “shtet i kontestuar” për shtetet mosnjohëse dhe pse “shtet i brishtë” për shtetet njohëse. Ose, pse korrupsioni është rrezik i madh – sigurisht ndër kryesorët e për dikë edhe kryesori – i Kosovës në konsolidimin e shtetësisë
Pyetja që rrëshqet krejt papritmas, në çastin kur sistemi i qeverisjes në Kosovë po përjeton ditët më të vështira që prej ekzistencës së saj si shtet, është nëse pozita e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare është zbehur deri në kontestim.
Krejtësisht në mënyrë të pafuqishme, Kosova është viktimë e asaj që në teori të marrëdhënieve ndërkombëtare quhet si “hendek i sovranitetit”. Kjo bazohet kryekëput prej aftësisë vepruese dhe manovruese të shtetit në terrenin praktik të “realpolitikës” dhe jo domosdoshmërisht në fuqinë ushtarake dhe ekonomike, siç do të thoshin realistët.
Përtej kontestimit të zellshëm nga jashtë, paradoksalisht një rrezik i madh Kosovës i vjen nga “të bëmat” e krijuara prej vet saj. Brishtësia përmes korrupsionit dhe kontestimi përmes (mos) drejtësisë – janë dy modelet e lejuara të Kosovës me shumë kallauz.
Shtet i brishtë: mirëqenia e munguar e qytetarit kosovar
Duke qenë relativisht e paaftë për t’i siguruar qytetarët e saj me mirëqenie ekonomike, shërbime themelore të të drejtave të njeriut si, sistem të drejtësisë të besueshëm e të afatshëm – sistemi ynë i qeverisjes po e thellon çdo ditë e më shumë konceptin e të qenit “shtet i brishtë”.
Shtetet e brishta janë të njohura gjerësisht si rrezik edhe për sigurinë ndërkombëtare, e gjithashtu edhe për sigurinë e fqinjëve të tyre por, mbi të gjitha për mirëqenien e njerëzve të saj. Në mungesë të një klime më të dinjitetshme politike, pasigurinë humane të të jetuarit me krim dhe korrupsion gjerësisht të përhapur – mjedisi kosovar po shndërrohet në një shoqëri të jostabilitetit ekonomik, social dhe politik.
Shtetet që e kanë njohur Republikën e Kosovës – gradualisht po e përfshijnë në listën e shteteve të brishta, ku demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit – spikasin për mosefikasitet e dobësi. Edhe më problematike për shtetet njohëse është preludi i shtegtarëve politikë, të cilët shquhen për mosseriozitet e mosgatishmëri për t’i realizuar synimet e një shteti që synon minimalisht të jetë demokraci kushtetuese.
A po ngulfatet Kosova me mosanëtarësim në organizata ndërkombëtare, sidomos pas mossuksesit në UNESCO dhe Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit? Kjo pyetje gjithashtu është prologu i rrezikut të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare. Duke qenë se problemet e Kosovës janë sistemike – e vetmja kurë (shërim) për të është zhvillimi i saj. Por, siç Kosova është keqkuptuar historikisht, që prej vendit të saj në Federatën e ish-Jugosllavisë (Kushtetuta e vitit 1974) e deri në vendin e saj në të drejtën ndërkombëtare (Opinioni Këshilldhënës i GjND-së i vitit 2010) – ashtu edhe koha e zhvillimit të saj po vjen duke e përcaktuar se, deri në ç’masë shoqëria jonë është në gjendje të ushqejë një sistem më produktiv të qeverisjes. Mbase me një elitë tjetër, me kushte dhe përpjekje të tjera për ta zhvilluar Kosovën.
Për të hyrë në vallen e brishtësisë, Kosova është fajtorja kujdestare e saj. Duke mos qenë efikase nga brenda në sistem politik dhe drejtësi të besueshme – për shtetet e treta kjo paraqet kontestimin më të thellë. Kosova duke mos qenë aktualisht në gjendje të prodhojë një sistem tjetër të kohezionit social apo edhe të ridizajnojë konceptin e drejtësisë së besueshme për të gjithë shtetasit e vet – po rrëshqet natyrshëm drejt brishtësisë.
Shtet i kontestuar: përshtatja me korrupsionin
Kosova nuk njihet nga një numër relativisht i madh shtetesh të botës për shkak të, siç thuhet, kërcënimit për sigurinë globale. Ky është kontestimi ndër më kryesorët i kundërshtarëve të pavarësisë, pas atyre të mospajtimit të “pesëshes së përhershme” në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe “marrëdhënieve të panormalizuara” me Serbinë. Në fund të fundit, siç e thonë të tjerët, me rëndësi ka qëllimi për të cilin thuhet gënjeshtra.
Bashkësia ndërkombëtare, në fakt, e presupozon sistemin e qeverisjes si të ngjashëm me modelet e përdorura në vendet perëndimore – ndërsa çdo model tjetër përveç këtij, konsiderohet si i papranueshëm. A jemi shembulli më i mirë i një demokracie të suksesshme perëndimore? Me patjetër që jo! A jemi shembulli i një tranzicioni të suksesshëm, sipas receptit demokratik perëndimor? Shumëkush do të thoshte, padyshim jo.
Keqkuptimi i Kosovës sot në marrëdhëniet ndërkombëtare – bëhet edhe më i madh për shkak të problemeve që lidhen me shqetësimet rreth sovranitetit dhe mungesës së sundimit të ligjit dhe nivelit shqetësues të krimit e të korrupsionit.
A jemi në gjendje të prodhojmë drejtësi të besueshme? Në vende si Kosova ku kemi problem me pavarësinë e gjyqësorit, drejtësia është joefikase. Kontestimi i Kosovës mund të jetë edhe “storie e përbashkët”. Nëse ka pasur një më të madhe në çdo raport dhe çdo vlerësim të jashtëm, që i është bërë Kosovës nga jashtë, ka spikatur kritika për defekte dhe joefikasitet në sundimit e ligjit. Sundimi i ligjit është një ndër dështimet e përbashkëta të kosovarëve dhe ndërkombëtarëve. Ky dështim është sekreti i kontestimit ndërkombëtar të Kosovës. Këta të fundit, kurrsesi nuk mund të shfajësohen. Që nga viti 1999, kanë qenë hisedar kryesor të sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Përfundimisht ka ardhur koha të kuptohet se, krimi dhe korrupsioni nuk luftohen me mjete konvencionale, siç janë strategjitë e bukura të thurura në letër, konferencat e tryezat e rrumbullakëta apo edhe institucionet ekstra-legale të krijuara për makiazh. Por, ajo duhet ekskluzivisht të bëhet përmes identifikimit, hetimit, ndjekjes dhe gjykimit e veprave penale të korrupsionit. Këtë duhet ta bëjnë vetëm Prokuroritë dhe Gjykatat.
Deri tani jemi mësuar të dëgjojmë që pengesat për njohje të Kosovës kanë qenë konvencionale, si mospajtimi në Këshillin e Sigurimit të OKB, “përplasja” me të drejtën ndërkombëtare, apo edhe marrëdhëniet e tensionuara me Serbinë. Tash e tutje nuk duhet të befasohemi nëse në një të ardhme të afërt, ta ofrojmë një argument shtesë, më të fuqishmin madje. Kundër vetvetes padyshim. Brishtësinë si pasojë – për shkak të dështimit të sundimit të ligjit dhe korrupsionit.
Nëse nuk duam që të moskontestohemi. Ndërkombëtarisht dhe jo vetëm.
(Autori është ligjërues i së Drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Fakultetin Juridik në Universitetin “Hasan Prishtina”).