Mbrojtja e Rexhep Selimit ka kërkuar të hidhet poshtë aktakuza ndaj këtij të fundit e ngritur nga Dhomat e Specializuara, pasi thotë se Dhomat e Specializuara nuk kanë mandat ndaj akuzave që pretendohet se i ka kryer Selimi, transmeton Insajderi.
Në parashtresën e mbrojtjes së Selimit thuhet se asnjë nga akuzat e pretenduara se janë kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe Selimi si një nga themeluesit, nuk kanë të bëjnë me raportin e Këshillit Evropian të përgatitur nga Dick Marty.
Nga mbrojtja e Selimit është thënë se praktika e Gjykatës përbën shkelje të nenit 14 të Konventës Evropiane të Drejtave të Njeriut mbi “Ndalimin e diskriminimin”.
Kështu që mbrojtja e Selimit ka kërkuar që të aprovohet parashtresa dhe të konfirmohet se Dhomat e Specializuara nuk kanë juridiksion mbi krimet e pretenduara në aktakuzë. Dhe se Dhomat e Specializuara aplikojnë politikë të paligjshme dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve të Kosovës. Është kërkuar të hudhet poshtë aktakuza ndaj Selimit. E po ashtu të mundësohet një seancë dëgjimore për këtë çështje, që të dëgjohet mbrojtja.
Në të vërtetë një kërkesë të ngjashme ka bërë edhe mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në parashtresën e bërë tri ditë më parë.
Mbrojtja e Thaçit ka thënë se mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka qenë i thjeshtë. Se Carla Del Ponte ka ngritur akuza për trafikim të organeve dhe se një akuzë të tillë e ka bërë më pas Dick Marty në raportin e tij, raporton REL.
Kështu që mbrojtja e Thaçit ka thënë se Dhomat e Specializuara nuk kanë mandat mbi krimet e pretenduara në aktakuzën dhe të hidhet poshtë aktakuza.
E mbrojtja e Jakup Krasniqit ka thënë se duhet specifikuar qartë se për çfarë akuzohet Krasniqi, pasi aktakuzat që janë bërë nuk e lidhin atë me asnjë vepër.
Nga mbrojtja e Krasniqit është thënë se nëse nuk ofrohet material mbështetës për ndonjë akuzë atëherë duhet të hidhet ajo akuzë.
Po ashtu mbrojtja e Krasniqit ka thënë se Dhomat e Specializuara nuk kanë juridiksion mbi krimet e kryera para prillit 1999 dhe në Kosovë, pasi nuk lidhen me raportin e Dick Martyt. Duke thënë njëkohësisht se nuk ka mandat ndaj krimeve që pretendohet se janë kryer në bazë të aktakuzës. /Insajderi.com