Kontrata mijëra euroshe e Presidencës me kompaninë amerikane

Kontrata mijëra euroshe e Presidencës me kompaninë amerikane

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është ftuar të raportojë nesër para Komisionit Hetimor në lidhje me shpenzimet për lobim.

Ende nuk dihet nëse presidenti do të shkojë për të raportuar, por një gjë të tillë para Thaçit e kanë bërë zyrtarë tjerë të Presidencës.

Fehmi Selimi, drejtor i Departamentit të Administratës dhe buxhetit në Presidencë ka raportuar kohë më parë para këtij Komisioni, shkruan Gazeta Insajderi.

Ai është pyetur në lidhje me shpenzimet për lobim që i ka bërë Presidenca gjatë viteve të fundit.

Një kontratë që e ka siguruar Gazeta Insajderi, tregon se Presidenca i paguan një kompanie amerikane 52 mijë dollarë në muaj për lobim.

Kjo kontratë e Presidencs me kompaninë “Ballard Partners”, parasheh që Kosova t’i paguajë asaj 1 milionë e 248 mijë euro gjatë dy viteve.

“Detyrat e Ofruesit të Shërbimeve është të konsultohet me Autoritetin Kontraktues dhe të avokoj në emër të tij për ato cështje që Autoriteti Kontraktues i konsideron të nevojshëm dhe të përshtatshëm para qeverisë federale të SHBA-së. Çështjet dhe objektivat mund të përfshijnë, por nuk mund të kufizohen në, zgjerimin e marrëdhënieve SHBA – Kosovë, forcimin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit, zbatimin e antiterrorizmit të përbashkët dhe përpjekjeve ushtarake, avancimin e iniciativave të rritjes ekonomike dhe shtyrjen përpara të integrimit të Kosovës në struktura evropiane dhe euro-atlantike dhe që kanë të bëjnë me të kaluarën”, thuhet në njërën nga pjesë e kësaj kontrate që e ka siguruar Gazeta Insajderi.

Më 2 korrik kryetari i këtij komisioni, Dardan Sejdiu kishte bërë kërkesë që të ketë çasje në kontratën e Presidencës me “Ballard Partners INC”.

“Ofruesi i shërbimeve do të marrë nga Autoriteti Kontraktues (Presidenca) 52 mijë dollar në muaj për këtë marrëvshje. Tarifa do të paguhet në 8 këste të barabarta, të paguara në fund të çdo tre mujori, deri në përfundimin e marrëveshjes. Kjo marrëveshje hynë në fuqi më 2 dhjetor 2017, dhe mbetet në fuqi deri më 21 dhjetor 2019”, thuhet në kontratën e Presidencës me këtë kompani.

Në mbledhjen e komisionit që ishte mbajtur në shtator, deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani ishte interesuar të dijë nëse shpenzimet janë shfrytëzuar edhe për librin e presidentit.

Në transkriptet e Komisionit që i ka siguruar Gazeta Insajderi, Vjosa Osmani pyet nëse është bërë ndonjë pagesë nga parat e shtetit për këto promovime.

Mirëpo, Musliu kishte deklaruar se nga buxheti i presidencës nuk ka pasur pagesa të tilla. /Insajderi.com