Konventa e Stambollit – hap i rëndësishëm, implementimi mbetet sfidë

Konventa e Stambollit – hap i rëndësishëm, implementimi mbetet sfidë

Përfshirja e Konventës së Stambollit në Kushtetutën e Kosovës po konsiderohet si një hap i rëndësishëm në trajtimin e rasteve të dhunës në baza gjinore, megjithatë sfidë vlerësohet implementimi i saj.

Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, e njohur si Konventa e Stambollit, është traktati më i përparuar ndërkombëtar për të trajtuar te tilla shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Përfshirjen e kësaj Konvente në Kushtetutën e Kosovës, e quan lajm të mirë Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës. Ajo thotë se adaptimi i saj është një hap se Kosova do të trajtojë më mirë dhe më seriozisht dhunën ndaj grave.

“Kemi shpresë sepse ky dokument e obligon shtetin tonë që ta trajtojë dhunën ndaj grave seriozisht, është një hap i cili kërkohet po ashtu edhe nga BE aty ku ne e kemi synim të inkuadrohemi në të ardhmen tonë dhe të bëhemi pjesë e Evropës. Kështu që, do të thotë të gjitha aspektet ky ndryshim në Kushtetutë dhe futja e Konventës së Stambollit në Kushtetutën e Kosovës tregon që ne si shtet po shkojmë drejtë rrugës që kërkohet edhe nga BE në luftim të dhunës nga grave. Normal mandej implementimi i saj mbetet të shihet se si do të bëhet, ne i kemi pas deri tash disa ndryshime në legjislacion siç është futja e dhunës në familje në Kodin Penal dhe ngacmimit seksual, të cilat kanë qenë kërkesa që vinë prej Konventës së Stambollit”, thotë ajo.

Edhe Luljeta Demolli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, thotë se përfshirja e Konventës së Stambollit në Kushtetutën e vendit është një hap pozitiv në luftën kundër dhunës në baza gjinore.

Ajo potencon se zbatimi është i vështirë, duke përmendur edhe problemin e zbatimit të shumë ligjeve të tjera në vend.

“Fillimisht është e vështirë se zbatimi është problemi më i madh në Kosovë, jo vetëm për dhunën në baza gjinore, por zbatimi është problematike gjithë legjislacionit kosovar. Kështu që, kjo ka me qenë një motër e ligjeve të tjera që ka me pas vështirësi në zbatim, por shpresojmë që do të ketë një përkushtim dhe një vullnet politik për zbatimin e kësaj konvente…Jemi pak skeptik puna që Kosova nuk është pjesë e Këshillit të Evropës dhe nuk është pjesë, anëtare e shumë organizatave tjera që e luftojnë dhunën në baza gjinore, po megjithatë shpresojmë shumë dhe është herët që ta vendosim në skepticizëm. Mendojmë që është hapur një rrugë për me u bashkangjitur me krejt vendet tjera dhe për ta luftuar”, thotë ajo. /Insajderi.com