Koordinatori i QNR-së tregon edhe për sa ditët pritet të përfundojë rinumërimi

Koordinatori i QNR-së tregon edhe për sa ditët pritet të përfundojë rinumërimi

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve deri tani janë numëruar 43 për qind e vendvotimeve të cilat me vendim të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa u urdhëruan të shkojnë në rinumërim.

Koordinatori i QNR-së, Burim Ahmetaj, ka thënë se, sipas dinamikës aktuale, procesi i rinumërimit të 1428 vendvotimeve do të përfundojë për 7-8 ditë.

“Deri në këto momente kur po flasim janë rinumëruar 605 vendvotime prej tyre. Në përqindje janë 43 për qind e vendvotimeve. Gjatë ditës së sotme me ndërrimin e parë kemi vendvotime të cilat do të rinumërohen dhe ndërrimin e dytë do vazhdojmë sepse kemi përparim në aspektin e procesit të rinumërimit. Përderisa jemi në ditën e gjashtë dhe gjatë tërë ditës së sotme do kemi proces të rinumërimit deri në fund të ditës do mund të afrohemi deri 47 për qind konsiderojmë se që edhe pjesa tjetër e mbetur do të mund të përfundojë në afatin e njëjtë sikurse në këtë pjesën e parë të vendvotimeve. Do të na duhen të paktën edhe 7 ditë apo 8 deri në kompletim të këtij procesi”, tha Ahmetaj.

Ahmetaj tha se QNR ka kapacitete të mjaftueshme për të përfunduar me kohën e paraparë procesin e rinumërimit.

E lidhur me vendvotimet që me vendim të PZAP-së fillimisht u vendos që të rinumërohen 1472 vendvotime e më pastaj u tha se do rinumërohen vetëm 1428 të tilla, dyshime për manipulim nga ana e PZAP-së po hedh analisti politik, Ramush Tahiri.

Sipas tij karshi vendimit të PZAP duhet të veprojnë institucionet përgjegjëse.

“Arsyetimin që e pash unë prej PZAP-it është i dyshimtë edhe duhet të veprojnë institucionet sepse thotë disa nga këto vendvotime vetëm janë rinumëruar. Atëherë shtrohet pyetja me çfarë të drejte ti i ke vlerësuar se duhet të rinumërohen, ku e ke gjetur gabimin nëse janë rinumëruar njëherë. Gjithashtu për disa shkruan numri gabim dhe nuk ekzistojnë si të tilla që të lenë për dyshim për një lloj manipulimi në PZAP për këto çështje, ndërsa zvogëlimi i numrit do shkaktojë pakënaqësi dhe ankesa”, ka thënë Tahiri.

E lidhur me këtë çështje ka dhënë shpjegime koordinatori i QNR-së, Burim Ahmetaj sipas të cilit vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nuk ka vend për dyshim.

“Nuk mund të them se është vendim i dyshimtë. Në listën të cilën e ka siguruar PZAP figurojnë 1470 vendvotime , mirëpo Qendra e Numërimit dhe Rezultateve pas krahasimit në numër të vendvotimeve që janë zyrtare të miratohen nga KQZ rezulton se prej tyre 38 vendvotime janë shënuar dy herë kemi dublifikim të vendvotimeve ndoshta jo për fajin e PZAP-së por edhe për fajin e ankuesit, 18 vendvotime janë rinumëruar më herët me vendim të KQZ-së dhe 6 vendvotime kanë qenë të paqarta”, tha Ahmetaj.