Koronavirusi në Kosovë: “Riga Pharm” rrit çmimet e produkteve farmaceutike

Koronavirusi në Kosovë: “Riga Pharm” rrit çmimet e produkteve farmaceutike

Po vazhdojnë rritjet e çmimeve të produkteve farmaceutike, pas gjendjes së shkaktuar nga virusi COVID-19.

Në adresën e Insajderit kanë arritur kupona fiskal ku shihen rritje marramendëse të produkteve bazike për imunitet. Madje, një pako aspirin tanimë ka çmimin 1,70 e që më herët kushtonte më së shumti rreth 1.20 euro.

Bëhet fjalë për kompaninë “Riga Pharm” – e cila ka një shtrirje të gjërë në disa qytete të Kosovës.

Më poshtë gjeni katër faktura të lëshuara nga kjo farmaci:

“Riga Pharm”, rruga Adem Jashari në Han të Elezit

Riga Pharm Vëllezërit Çaka në Kaçanik

“Riga Pharm 6” Lidhja e Prizrenit – Gjilan

“Riga Pharm 9” Rruga e Preshevës – Viti

Fakturat në këto farmaci kapin çmimin e 57,90 euro, 42,00 euro, 30.00 euro dhe 12.00 euro.

Në kuponat fiskal mund të shihni qartazi se çka është blerë nga qytetarët:

Në lidhje me rastin kanë reaguar nga “Riga Pharm”, duke insistuar se ngritja e çmimeve të produkteve farmaceutike që i shihni më lartë kanë ndodhur para se të diskutohej për virusin COVID-19.

Madje, produktet sipas tyre nuk kanë të bëjnë me virusin, ani pse qytetarët që kanë blerë në këtë farmaci insistojnë se më parë çmimet e këtyre barna kanë qenë më të lira, dhe se pikërisht virusi ka ndikuar në ngritje të çmimeve.

“Produktet e prodhuesit Genericon kanë pësuar rritje në muajin Janar ose Shkurt (gje qe dokumentohet shume lehte). Sipas blerjeve te fundit të këtij viti çmimi furnizimit për këtë bari është 6,38 e dhe në shitje ne e kemi 6,80 e.
Kjo ngritje çmimi ka ndodhe kur kur në Kosove nuk është biseduar për Coronavirus dhe edhe kjo lehtë dokumentohet”, thuhet në reagimin e “Riga Pharm”.

Rritja e çmimeve në vend është rritur ditëve të fundit pasi që koronavirusi u alarmua në vendet e rajonit dhe së fundmi edhe në Kosovë, ku deri më tani numri i të prekurve nga ky virus është 5.

Rritja e çmimeve është vërejtur sidomos në produktet farmaceutike e ushqimore.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Shoqata e Farmaceutike ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës t’i trajtoj farmacistët si partnerë të rëndësishëm në përpjekjen globale për parandalimin e epidemisë së COVID-19.

“Me këtë rast edhe çmimet e produkteve farmaceutike ndryshojnë në varësi të çmimit të furnizimit momental. Përgjegjësitë dhe obligimet e farmacistëve në veçanti gjatë kësaj periudhe janë: Furnizimi i mjaftueshëm me pajisje mjekësore (maska, dorëza, mjete të tjera dezinfektuese) Informimi i drejtë dhe edukimi i qytetarëve mbi masat e parandalimit të përhapjes së infeksionit Konsultimet dhe referimet te mjeku kur është e nevojshme”, thuhet në komunikatë.

Kryeinspektori i Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Lulzim Syla, bazuar në urdhëresën e ministres Rozeta Hajdari ka hartuar planin jashtëzakonshëm për gjendjen e krijuar nga virusi Korona.

Prandaj bazuar në këtë plan inspektorët janë në monitorim të tregut edhe jashtë orarit të punës, për t’i mbikëqyrur çmimet nëpër markete, me theks të veçantë produktet ushqimore dhe higjienike, në rast se ka ngritje të çmimeve.

Theksojmë se raportime të shumta kanë pranuar ATK nga qytetarët të cilët po hasin në çmime të fryra nëpër markete e farmaci.

Ndonëse, është bërë thirrje që çmimet të mos rrite, një gjë e tillë nuk po përfillet nga bizneset.

KY ËSHTË NUMRI I PUBLIKUAR NGA ATK KU MUND Të TELEFONONIN PËR RAPORTUAR RRITJET E ÇMIMEVE: 0800 80 800.

Nga 3.50€ në 6.50 – rritje e dyfishtë e çmimit të dezinfektuesit në Podujevë

Rritja e çmimeve në markete dhe farmaci – ATK pranon mbi 200 thirrje nga qytetarët

Rritja e çmimeve – “Green Pharmacy” në Podujeve shet 6.50 euro alkoolin

Vazhdojnë rritjet e çmimeve të produkteve farmaceutike – rritje marramendëse në Prishtinë e Podujevë