Korporata milionëshe e biznesmenit Shkelqim Devolli ka mashtruar shtetin afro gjysmë milioni euro. 10 mijë tonë grurë të importuar nga vendet fqinje, kompania e tij i ka deklaruar si ushqim për kafshë - krunde, gërdhushta dhe bizele. Këto produkte janë të liruara nga dogana. Pasi ka shmangur detyrimet doganore, grurin e ka bluar në fabrikën “M Sillosi” për ta hedhur në treg. Dallaveret janë konstatuar pas një hetimi të gjatë të Doganës. Korporata që ka dëmtuar shtetin, i detyrohet shtetit 489, 762. 41 euro. Përfaqësuesit e M-Sillosit nuk kanë folur me arsyetimin se ende nuk kanë pranuar kurrfarë aktvendimi.
Korporata Devolli ka mashtruar shtetin me importin e grurit duke arritur që t’i shmanget për rreth gjysmë milioni euro detyrime doganore.
Kjo korporatë, me dokumente ka importuar ushqim për kafshë si krunde, bizele, e gërdhushta (mbeturina të grurit).
Në fakt, ka importuar 10 mijë tonë grurë të cilët e ka bluar në fabrikën e miellit “M Sillosi” në Xërxe dhe e ka hedhur në treg.
Duke e deklaruar ushqim për kafshë, malli i importuar nuk i nënshtrohet doganës për shkak se “gruri është i thyer dhe përdoret vetëm për kafshë”.
Këto veprime janë lejuar nga zyrtarë të Doganës së Kosovës.
Një hetim i gjatë i Doganës së Kosovës ka nxjerr një aktvendim që konstaton këtë mashtrim të korporatës së biznesmenit pejan, Shkelqim Devolli.
Insajderi ka siguruar këtë aktvendim që mbanë datën 2 qershor 2016. Aty sqarohen shkeljet dhe detyrimet që ka korporata ndaj shtetit.
Aktvendimin e ka nxjerr grupi punues i Doganës së Kosovës në përbërje nga zyrtarët të sektorit të Kontrollit pas importues dhe sektorit të mbikëqyrjes së regjimeve vezulluese si kryesues.
“Obligohet importuesi M-Sillosi që në afat prej 10 ditësh të paguaj obligimet doganore në vijim:
Taksën doganore (10 %) – 16, 0 85.40 euro; TVSH (16 %) – 471, 274. 18 euro; Kamata kompensueze -2402.83. Gjithsej 489, 762. 41 euro”, thuhet në aktvendimin që ka siguruar Insajderi.
Komisioni ka vendosur që të ndryshohen të dhënat në deklaratën unike doganore të datës 19.05.2014 dhe në deklaratën unike doganore aneksi 1, A, B dhe C.
Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e aktvendimit.
“Gjatë aktivitetit të kontrollit të ushtruar nga grupi punues bazuar në të dhënat dokumentare janë gjetur parregullsi në aplikimin e procedurave doganore me ndikim ekonomik, respektivisht shfrytëzimin e autorizimit për përpunim të brendshëm dhe përpunim nën kontroll doganor”, thuhet në arsyetim të aktvendimit.
Grupi punues konstaton se gjatë lejimit të qarkullimit të lirë të mallit me përshkrim Hime, (krunde) me regjim IMA (40-51) përmes deklaratës unike doganore R 5887 datë 19.05.2014, duke shkarkuar mallin e importit me përshkrim grurë me regjim IMS (51-00) për deklaratën unike doganore R 2439 datë 28.02.2014, deklarata unike doganore R 5887 datë 19.05.2016 nuk është proceduar drejt sipas llojit, përshkrimit të mallit dhe kodit tarifor.
“Me këtë rast kemi shmangie të detyrimeve doganore në emër të TVSH-së prej 65,275,41 euro dhe në emër të kamatës kombenzuese prej 2,402,83 euro”, thuhet në aktvendim.
Në pikën e dytë thuhet se “në procedurën e Përpunim të kontrollit doganor gjatë lejimit në qarkullim të lirë të mallit me përshkrim miell dhe hime (krunde) me regjim IMA (40-91) përmes deklaratave unike doganore sipas ANEKSIT 1A, duke shkarkuar mallin e importit me përshkrim grurë me regjim IM9 (91-00), nuk janë proceduar drejt deklaratave unike doganore, ANEKSI 1A sipas shpërndarjes së vlerës financiare për produktet kompenzuese”.
“Me këtë rast kemi shmangie të detyrimeve doganore në emër të TVSH-së prej 112,513,03 euro”, konstatohet në hetim.
Në pikët e tretë thuhet se “në procedurën e Përpunimit të kontrollit doganor gjatë lejimit në qarkullim të mallit me përshkrim ushqim për kafshë – Gërdhushta (mbeturina të grurit ) me regjim IM4 (40-91) përmes deklaratave unike doganore sipas ANEKSIT 1B, duke shkarkuar mallin e importit me përshkrim grurë – ushqim për kafshë me regjim IM9 (91-00), nuk janë proceduar drejt deklaratave unike doganore ANEKSI 1B sipas numrit tarifor për produktin kompenzues ushqim për kafshë gërdhushta”.
Aktvendimi thotë se me këtë është janë shmangur detyrimet doganore në emër të TVSH-së prej 265,175,44 euro.
Në pikën katër ndërkaq thuhet se “në procedurën e Përpunim të Kontrollit Doganor gjatë lejimit në qarkullim të lirë të mallit me përshkrim ushqim për kafshë – bizele, me regjim IM4 (40-91) përmes deklaratave unike doganore sipas ANEKSIT 1C, duke shkarkuar mallin e importit me përshkrim bizele ushqim për kafshë me regjim IM9 (91-01), nuk janë proceduar drejt deklaratave unike doganore të ANEKSIT 1C sipas numrit tarifor për produktin kompenzues ushqim për kafshë bizele”.
“Me këtë rast kemi shmangie të detyrime doganore në emër të doganës 16,085.40 euro dhe TVSH-së 28,310,30 euro gjithsej 44,395,70 euro”, saktësohet në aktvendim.
Në kompaninë “M-Sillosi”, pjesë e korporatës Devolli, nuk kanë folur për këtë çështje me arsyetimin se ende nuk e kanë pranuar vendimin.
“Ju bëjmë me dije se kompania jonë ende nuk ka pranuar asnjë aktvendim që ka të bëjë me kontrollin pasimportues. Sidoqoftë, momentin që do pranojmë ndonjë akt të tillë, ne do e analizojmë dhe do ndërmarrim hapat e parapara me ligjin mbi procedurën administrative”, kanë thënë në këtë kompani nëpërmjet një përgjigje me shkrim.
“M-Sillosi” ka të drejtën e ushtrimit të kërkesës për rishqyrtim tek Sektori për Rishqyrtime të vendimeve pranë Doganës së Kosovës në afat prej 30 ditësh, nga dita e marrjes së këtij aktvendimi.
Hetimet për importin e grurit kishin nisur vitin e kaluar pas një serie shkrimesh të gazetës “Express” rreth importit të produkteve të grurit. Akuzat për dallavere i kishte përforcuar, kryetari i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Misin Voci. Ai kishte thënë se kompania Devolli, e ndihmuar nga Dogana e Kosovës, po i ushqen shqiptarët, andej e këndej kufirit, me miell që prodhohet nga gruri i dedikuar për ushqim të kafshëve.
Por, hetimi nuk e ka konstatuar një gjë të tillë. Kompania vetëm ka mashtruar shtetin duke e deklaruar grurin si ushqim për kafshë për t’ju ikur detyrimeve doganore.
Përfaqësuesit e kompanisë kishin mohuar akuzat. Ata kishin thënë se çdo prodhim nga gruri, është 100 për qind me kokrra të grurit, rreth 70 për qind nga ajo del miell, ndërsa pjesa tjetër është krunde.
“Ne jemi të bindur që produktet tona janë produkte shumë cilësore edhe përmbajnë të gjitha vlerat ushqyese që duhet me i pasur produkti i caktuar. Kemi pritur që të reagojnë institucionet që janë përgjegjëse për kontrollimin e cilësisë së produkteve në këtë rast ka reaguar edhe AVVUK-u si dhe instituti bujqësor i Kosovës me rezultate që janë të verifikuara dhe garantojnë që produktet tona janë të mira”, kishte thënë Seat Shehu, drejtor i kompanisë ‘M- Sillosi’./Insajderi.com