Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka falënderuar Kosovën për gatishmërinë për të strehuar përkohësisht refugjatët afganë.
Ai theksoi se “Kosova demonstron lidership në nivel global”.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, falënderimet e mia më të thella për qeverinë dhe popullin e Kosovës për gatishmërinë e juaj për t’ju ofruar strehë partnerëve tanë afganë në udhëtimin e tyre drejt një jetë të re”, ka shkruar Kosnett në Twitter.
SHBA-të, kërkuan nga Kosova që të strehohin disa nga bashkëpunëtorët e tyre afganë gjatë kohës së operonin në Afganistan.
Kjo për shkak të kanosjes së rrezikut nga talebanët që kanë marrë pushtetin në Kabul.
Grupi militant u kthye në pushtet pas 20 viteve, menjëherë pasi trupat ndërkombëtare u larguan nga Afganistani.
Presidenti amerikan, Joe Biden, deklaroi të hënën se qëndron “plotësisht prapa” vendimit për tërheqjen forcave amerikane nga Afganistani.
Ndërkaq, Ashraf Ghani, presidenti afgan që kishte mbështetjen amerikane është larguar nga vendi. /Insajderi.com