Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett e ka falënderuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për gatishmërinë e Kosovës që t’i strehojë përkohësisht refugjatët afganë.
Presidentja u takua me ambasadorin amerikan, të mërkurën, ka njoftuar presidenca.
Osmani theksoi se qytetarët e Kosovës, nisur nga përvoja e kaluar, mirëkuptojnë nevojën për strehim të sigurt për personat e rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.
Po ashtu, Presidentja Osmani dhe ambasadori Kosnett diskutuan për thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës në fushën e politikës së jashtme si dhe në realizimin e reformave në drejtësi dhe energjetikë.
Të mërkurën, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se do të strehohen rreth 2 mijë afganë. Pa treguar kur dhe sa do të rrinë.
Kjo situatë ka ardhur si rezultat i tensionimit të brendshëm në Afganistan, pasi talebanët morën pushtetin në Kabul.
SHBA ka kërkuar nga vendet e saj mike që të strehojnë bashkëpunëtorët e tyre në Afganistan derisa të përfundojë procedura e vizave. /Insajderi.com