“Kosnett i shkoi në zyrë Kurtit pas deklarimeve se nuk do ta respektojë marrëveshjen e Uashingtonit”

“Kosnett i shkoi në zyrë Kurtit pas deklarimeve se nuk do ta respektojë marrëveshjen e Uashingtonit”

Njohësi i çështjeve politike, Blerim Latifi, ka thënë se ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett vizitoi të martën Lëvizjen Vetëvendosjen për shkak të deklarimeve të disa zyrtarëve të kësaj të fundit se nuk do ta respektojnë marrëveshjen e Uashingtonit, njofton Insajderi.

Latifi ka thënë se shpreson që Kurti të ketë marrë mësim dhe të sillet si kryeministër i Kosovës dhe jo si militant.

“Kosnet i paska shku në zyrë Kurtit. Nuk është e vështirë të kuptohen arsyet: deklarimet e vazhdueshme të zyrtarëve të tij se nuk do ta respektojnë marrëveshjen e Uashingtonit, të cilës, siç tanimë dihet, i qëndron prapa edhe administrata e re amerikane.

Uroj që Kurti të ketë marrë mësim e të jetë imunizuar nga kjo budallaki e ushqyer vazhdimisht nga broçkullat e Internacionales socialiste dhe të filloj të sillet si kryeministër shqiptar i Kosovës, e jo si militant i devotshëm i kësaj internacionaleje”, ka shkruar ai në Facebook.

Kujtojmë që, Albulena Haxhiu, kandidate për deputete nga radhët e LVV-së, ka thënë se përveç njohjes së Izraelit, Qeveria Kurti nuk do të shtyjë përpara asnjë pikë të marrëveshjes se Uashingtonit.

Marrëveshja e Uashingtonit është marrëveshje ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, e nënshkruar nga kryeministri tashmë në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kjo marrëveshje u nënshkrua në praninë e tashmë ish-presidentit amerikan, Donald Trump./Insajderi.com