
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Philip Kosnett është takuar sot për herë të dytë me Liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, raportin Gazeta Insajderi.
Përmes një njoftimi të Vetëvendosjes në këtë takim kanë qenë prezent nënkryetari i partisë, Besnik Bislimi ambasadori Kosnett i cili ka qenë i shoqëruar me shefen e Sektorit ekonomik në ambasadën e ShBA-së, Lori Michaelson dhe me këshilltaren e tij politike, Jessica Long.
Në këtë takim thuhet se është biseduar për ecurinë e bisedimeve për formimin e qeverisë ku fokusi më i madh ka qenë rëndësi e zhvillimit ekonomik në vend.
“Në këtë takim, z. Kosnett shprehu interesimin e tij për ecurinë e bisedimeve rreth formimit të qeverisë së re, duke uruar që institucionet e Republikës së Kosovës të themelohen sa më parë, në mënyrë që edhe puna për një shtet të së drejtës që lufton korrupsionin dhe zhvillon ekonominë t’i sjellë rezultatet e para. Shefja e Sektorit Ekonomik në këtë ambasadë, znj. Michaelson, vuri theksin te rëndësia e zhvillimit ekonomik në vend duke shprehë interesimin dhe mbështetjen e ambasadës për projektet e qeverisë së ardhshme në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.
Tutje në komunikatën e VV-së thuhet se “Kryetari Kurti e njoftoi ambasadorin z. Kosnett me ecurinë pozitive të takimeve me Lidhjen Demokratike dhe shprehu bindjen se shumë shpejt do të formohet qeveria e re. Prioritet, tha ai, do t’i kushtohet sundimit të ligjit dhe luftimit të krimit të organizuar e korrupsionit të lartë institucional, në mënyrë që t’i hapet kështu rrugë edhe progresit socio-ekonomik. Përpos luftës ndaj korrupsionit, me z. Kosnett dhe znj. Michaelson u ndanë edhe idetë tona për zhvillimin ekonomik të bazuar në politika mbështetëse për bizneset e vogla dhe të mesme në përgjithësi, në prodhimin vendor, dhe në arsimin e lidhur me ekonominë. Bindja jonë është se zhvillimi ekonomik i integron edhe qytetarët me bindje e besime të ndryshme brenda Republikës por edhe shtetet mes vete”. /Insajderi.com