Kosnett: Marrëveshja gjithëpërfshirëse e pamundur pa kompromise

Kosnett: Marrëveshja gjithëpërfshirëse e pamundur pa kompromise

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se është e pamundur të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse pa u bërë kompromise nga të gjitha palët, njofton Insajderi.

Derisa ka folur për procesin e bisedimeve Kosovë-Serbi, në REL, Kosnett tha se të gjithë duhet të kenë qasje të re ndaj çështjeve dhe “të ndërmarrin hapa të guximshëm për të sjellë ndryshime”, në mënyrë që edhe Kosova edhe Serbia të lëvizin përpara.

Shtetet e Bashkuara, sipas tij, sa i përket Kosovës dhe Serbisë, po përpiqen të fokusohen në gjëra të arritshme në vend sesa në procese, rregulla dhe protokolle.

Kosnett tha se qëllimi i Uashingtonit është që të inkurajojë një proces, i cili do të përfundojë me normalizim të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve. Sipas tij, përpjekjet për të zgjidhur problemet politike janë zvarritur për vite të tëra, pa u bërë përparim i madh. Andaj, tha ai, SHBA-ja vendosi që të fokusohej në çështjet ekonomike mes dy vendeve. /Insajderi.com