Kandidatët të cilët nuk janë certifikuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për të marrë pjesë në zgjedhjet e 14 shkurtit duhet ta respektojnë këtë vendim, transmeton Insajderi.
Kështu ka deklaruar ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, i cili shtoi se ekziston procesi i ankesave për këtë procedurë.
“Komenti im për këtë është se mendoj për të gjithë ata që nuk janë certifikuar, të gjithë kandidatët potencialë që nuk janë certifikuar, ekziston procesi i ankesës. Ka proces gjyqësor dhe duhet ta respektojmë atë.
E rëndësishme është që të respektohet sistemi gjyqësor, të respektohen gjykatat. Të mos thuhet: na pëlqen ky vendim, nuk na pëlqen ky vendim. Pra, në këtë fushë ekziston procesi i ankesës, ka proces ligjor”, ka thënë Kosnett në Kanal10.
Ndërsa, lidhur me deklaratat e kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, e cila tha se ndihet e kërcënuar nga disa prej partive politike, Kosnett ka thënë se ajo është e aftë të argumentojë rastin në publik.
“Mendoj se kryesuesja Daka nuk ka nevojë që të flas në emrin e saj e as Kurti nuk ka nevojë që të flas në emrin e tij. Mendoj se këta njerëz janë mjaft të aftë për të argumentuar rastin e tyre në publik para popullit të Kosovës sepse kjo është audienca më e rëndësishme”, ka pohuar ambasadori Kosnett./Insajderi.com