Kosova akuzon Serbinë për shkeljen e CEFTA-s

Kosova akuzon Serbinë për shkeljen e CEFTA-s

Shteti i Serbisë po vazhdon ta shkelë marrëveshjen për Tregti të Lirë me Evropën Qendrore, që njihet me shkurtesën CEFTA, ka thënë ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, Vesel Krasniqi, njofton Insajderi

Për të zgjidhur këtë problem, Krasniqi ka thënë se të enjten, ka kërkuar nga drejtori i CEFTA-s, Emir Gjikiq, që bëjë presion mbi Serbinë që të zbatojë marrëveshjen, në të kundërtën, thotë ai, Kosova do marrë masa, pa treguar se për çfarë masash bëhet fjalë.

CEFTA është një marrëveshje ndërkombëtare e krijuar nga ana e Bashkimit Evropian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ministri Krasniqi ka kërkuar që emërtimi UNMIK-Kosovo të hiqet dhe të jetë vetëm Kosova, të zbatohet marrëveshja për shenjën e konfirmitetit dhe të njihen kualifikimet profesionale.

Po ashtu ka kërkuar që t’i bëhet presion Beogradit që bizneset dhe prodhimet e Kosovës të mos kenë pengesa kur kalojnë transit nëpër Serbi.

Në tregun e Kosovës, mallrat e importuara nga vendet anëtare të CEFTA-s, duhet të hyjnë me shenjën e konfirmitetit, të vendosura në produkte, që është shenja CE.

Përmes shenjës CE, prodhuesi tregon që produkti është në konformitet i vlerësuar në aspektin e sigurisë dhe shëndetit, sipas standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian. Certifikata CE zbatohet në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.

Por, mallrat e Serbisë nuk e kanë shenjë, ka thënë Krasniqi.

“Ndërsa, shteti fqinj Serbia nuk e zbaton këtë dhe mallrat që vijnë nga Serbia janë me tri AAA (shenjë e produkteve serbe), do të thotë është shkelje e marrëveshjes që nuk u lejohet të futen në Kosovë”.

“Përveç CEFTA-s, këtë çështje e kam ngritur edhe te kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, kam dërguar shkresë edhe në Zyrën Amerikane në Kosovë, në zyrën e Bashkimit Evropian, ka thënë Krasniqi për Radio Evropa e Lirë.

“Po presim reflektim, në të kundërtën unë do të zbatoj marrëveshjen sepse nuk mund të presim pafundësisht”, ka përfunduar Krasniqi./Insajderi.com