Kosova bëhet pjesë e Europolit për tri ditë

Kosova bëhet pjesë e Europolit për tri ditë

Kosova ka pak gjasa që të anëtarësohet në EUROPOL, por së paku ka qenë pjesë e kësaj organizate të sigurisë për tre ditë.

Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës, në mes të datës 27-29 janar, Kosova në bashkëpunim me EUROPOL, ka qenë pjesëmarrëse në operacionin tre ditorë “Ditët e veprimit të përbashkët-Ballkani Perëndimor”

“58 arrestime dhe 48 armë zjarri të konfiskuara në veprim të përbashkët kundër trafikut të armëve në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në komunikatë.

Autoritetet e zbatimit të ligjit nga 19 shtete, së bashku me Frontex dhe Europol, bashkuan forcat për të trajtuar trafikimin e armëve ku gjatë një operacioni të përbashkët 3 ditor e koordinuar nga Qendra Operative e Europol-it në Hagë, janë kryer kontrolle fizike, kryesisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Qendra Operative e Europol-it, ka qenë dëshmitare  e shkëmbimit të informatave në mes të autoriteteve pjesëmarrëse  lidhur me kontrollet në pikat kufitare të njerëzve dhe automjeteve, konfiskimet dhe hetimet e bëra. Rreth 246 000 subjekte janë kontrolluar nga vendet pjesëmarrëse, duke përfshirë 219 000 njerëz dhe 14 800 automjete”, thuhet në komunikatë.

Si rezultat i veprimeve, janë konfiskuar 48 armë zjarri si dhe 833 copë municion, 4 granata dore dhe rreth 500 gram eksploziv plastik, raporton Policia e Kosovës.

“ Përveç kësaj, ishte konfiskuar drogë në katër shtete, që arrijnë në rreth 505 kg marijuanë dhe 53 MDMA (substanca psikotropike). Po ashtu është parandaluar Kontrabanda e mallrave të tjera si 765 pako cigare, 0.8 kg duhan i pa përpunuar dhe një automjet të vjedhur”, thuhet në komunikatë.

Në total, janë arrestuar 58 persona në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe 127 persona iu ndalua të hyrja në pikat e ndryshme kufitare. Përveç kësaj, institucionet e zbatimit të ligjit kanë identifikuar gjashtë përpjekje për hyrje klandestine, 12 raste të qëndrimeve përtej afatit kohor si dhe 8 raste të përpjekjeve të falsifikimit të vizave/dokumenteve.

Vendet pjesëmarrëse të këtij operacioni ishin Shqipëria, Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Hungaria, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Greqia, Kosova, Mali i Zi, Holanda, Rumania, Serbia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra, Britania e Madhe dhe SHBA (ATF – Byroja e alkoolit, duhanit, Armëve të Zjarrit dhe eksplozivëve)./Insajderi.com