Kosova ka shënuar përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit duke marrë 39 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, të përpiluar nga organizata ndërkombëtare, Transparency International.
Këtë vit Kosova është radhitur e 87-ta, duke shënuar përparim krahasuar me vitin e kaluar kur ishte e 104-ta me 36 pikë.
Indeksi radhit çdo vit 180 shtete dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik.
Sa i përket Shqipërisë, ka shënuar përkeqësim në luftën kundër korrupsionit. Ajo ka 35 pikë – një më pak sesa një vit më parë.
Ndërsa, përparim ka shënuar Maqedonia e Veriut, e cila ka 39 pikë, katër më shumë sesa vitin e kaluar.
Serbia nuk ka ndërruar pozitë krahasuar me vitin e kaluar. Ka sërish 38 pikë.
Sipas këtij raporti, në vitin 2021 mesatarja globale mbetet e pandryshuar për të dhjetin vit radhazi, në vetëm 43 nga 100 pikë të mundshme.
Pavarësisht angazhimeve të shumta, 131 vende nuk kanë bërë asnjë përparim të rëndësishëm kundër korrupsionit në dekadën e fundit.
Dy të tretat e vendeve shënojnë nën 50, gjë që tregon se kanë probleme serioze me korrupsionin, ndërsa 27 vende janë në pikën më të ulët ndonjëherë./Insajderi.com