Kosova dënon sulmin në Izrael ku mbetën të vrarë pesë persona

Kosova dënon sulmin në Izrael ku mbetën të vrarë pesë persona

Kosova e ka dënuar sulmin terrorist në Izrael.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka shprehur edhe ngushëllime për familjet e viktimave.

“Republika e Kosovës dënon ashpër sulmet terroriste në Izrael që morën jetë të pafajshme. Ne shprehim ngushëllimet tona për familjet e viktimave dhe gjithë popullit të Izraelit”, thuhet në reagimin e ministrisë në “Twitter”.

Një sulm i përgjakshëm kishte ndodhur të martën në periferi të kryeqytetit izraelit, Tel Aviv ku mbetën të vdekur pesë persona.

Sipas policisë izraelite, në mesin e viktimave janë edhe dy ukrainas, ndërsa personi i armatosur është qëlluar për vdekje nga policia.

Një oficer që qëlloi sulmuesin ishte në mesin e të vrarëve.

Sulmuesi është identifikuar si një palestinez 26-vjeçar nga një fshat afër Jeninit, në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar, i cili më parë kishte qenë i burgosur në Izrael.

Kryeministri izraelit Naftali Bennett mbajti një takim urgjent sigurie.

Sulmin e dënoi edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken./Insajderi.com